GJKKO lë në fuqi masën për Ilir Beqajn! Ish-ministri refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit: Do flas në një moment tjetër

20/11/2023 13:26

GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme së bashku me avokatin mbrojtës Ermal Yzeiraj, ku u mor në pyetje sa i përket koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.

Megjithatë, ish-ministri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gjyqtarit Erjon Bani, duke theksuar se do të flasë në një moment tjetër. Në një prononcim për mediet në përfundim të seancës, Beqaj tha se është në dispozicion të drejtësisë dhe përtej rezervave që ka ndaj çështjes, nuk do ta kundërshtonte vendimin e GJKKO.

Ish-ministri Beqaj, që është i nënti i hetuar për koncensionin 100 milionë eurosh, përsëriti si sukses procesin e sterilizimit.

“Faleminderit për interesimin. Kam vetëm dy mesazhe. Siç e kam bërë publike jam në dispozicion dhe kam vendosur që, përtej rezervave, të mos e kundërshtoj atë vendim. Vijoj të besoj në çfarë kemi bërë në Shëndetësi për çështjen në fjalë. Në janar bëhen 8 vite që hetohet, janë 400 kirurgë që operojnë në kushte bashkëkohore“- u shpreh ndër të tjera Beqaj.

Me vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, Beqaj do duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15:30.

Prokurorët e SPAK prej tre vitesh e kishin nën hetim ish-ministrin socialist të Shëndetësisë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrje në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim,  si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë”. Për llogari të këtij hetimi, në 17 Gusht 2023 SPAK arrestoi ish-zëvendës ministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të sterilizimit.

Me ish-zv. ministrin dhe biznesmenin Rrapaj në burg, dhe të tjerët me masa më të lehta, SPAK nuk ka vendosur ende se çfarë do bëjë me sygjerimet e tjera të gjyqtarit Bani për të hetuar edhe pesë zyrtarë të tjerë. Mes tyre, ish-ministri i Financave dhe nënpunës të Komisionit të Prokurimit Publik.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA