Nuk do të jetë një paraqitje e thjeshtë sa për të hequr mungesën para Gjykatës Antikorrupsion ajo e ish-ministrit të Shëndetësisë.

Sipas ligjit përveçse Ilir Beqja duhet të përballet me gjyqtarin Erjon Bani, që vendosi masën e sigurisë, por gjithashtu ai do të pyetet gjyqësisht mbi koncensionit 100 milionë euro të sterilizimit.

Duke u njohur me akuzën që SPAK e dyshon, atë të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me vartësit mes tyre edhe me ish-zëvendës ministrin Klodjan Rrjepaj, Beqja nëse jep pëlqimin duhet të flasë dhe t’i përgjigjet gjykatës që të hënën, në orën 12.

Nëse nuk jep pëlqimin, ish-funksionari ka detyrimin të jetë i pranishëm në këtë seancë që do mbahet me dyer të mbyllura, sikundër ishte një e mëparshme ndaj tetë të dyshuarve të tjerë, po ashtu të bashkëdyshuar në dosje.

Por momenti i marrjes në pyetje mund të shterohet edhe nga avokati i tij mbrojtës në të njëjtën seancë, në të cilën mund të shqyrtohen kërkesat e të dyshuarit për t’ja hequr masën e detyrimit me paraqitje dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit. Nëse gjykata e lë në fuqi vendimin e saj, Ilir Beqja duhet të kthehet çdo të premte në SPAK me detyrimin për t’u paraqitur e për të mos dalë nga Shqipëria.

Megjithatë SPAK nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me urdhrin disa mujor të gjyqtarit paraprak që ka sugjeruar hetime edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe zyrtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik. Këta të fundit dyshohen se shpërdoruan detyrën duke mos vlerësuar ankesën e një operatori ekonomik që kundërshtoi si fitues “Sani Service”.

SPAK përmend se ish-ministri i Shëndetësisë Beqja ishte vënë në dijeni nga ish-drejtoresha e përgjithshme e asaj kohe Ogerta Manastirliu, për funksionimin e repartit të Sterilizimit që i kishte kushtuar shtetit disa milionë euro. Por pavarësisht se ky repart mbulonte ripërshtatjen e instrumenteve kirurgjikale për 60 mijë ndërhyrje, ish-ministri më 26 qershor 2014, përcolli memon aprovuese për koncensionarin. Mbi njohjen e atyre që do shpalleshin fitues më pas, SPAK radhit udhëtimet e ish ministrit me palën por edhe emaliet.

Detyra tjetër e SPAK që i ka lënë gjykata është hetimi pasuror dhe pastrimi i parave të dyshuara se u fituan nga korrupsioni. Se çfarë rezultati do dalë kjo mbetet për tu vlerësuar nga përgjigjet e bankave dhe jo vetëm.

Top Channel