Afera “Partizani”/ Sot seanca në Apel, Berisha nga Kuvendi: Arben Kraja dhe Irena Gjoka, shërbëtorë të Ramës

20/11/2023 09:58

Ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në orën 10.00 në SPAK, në zbatim të masave të sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalimi daljes jashtë shtetit’, të dhënë ndaj tij nga GJKKO-ja pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen Partizani.  

Ky është afati i dytë për ish-kryeministrin, ndërsa masa e sigurisë paracaktoi detyrim paraqitje të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Afati i parë ishte më 6 nëntor.

Mirëpo, shanset janë të mëdha që edhe sot të mos paraqitet përballë oficerit gjyqësor. Rreth orës 09.10, Berisha u shfaq sot tek kryesia e Kuvendit së bashku me një grup deputetësh të Rithemelimit, duke theksuar se masa është urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve të tij, sikurse Kraja, ndërsa Irena Gjoka fshihet prapa krimit.

“Sot unë jam paraqitur në parlament. Sot jam paraqitur në Parlament nuk mund të pranojë kurrë përvetësimin që bën Rama. Është urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve siç është Kraja, që qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të Prokurorisë. Që e nxjerr jashtë si ish-oficer sigurimi. E tregova unë atë, e tregova dokumentin, ajo që fshihet prapa krimit. Irena Gjoka fshihet prapa krimit. Ata janë shërbëtorë të mjerë që zbatojnë urdhrat e Edi Ramës ndërkohë marrin pushtetin e parlamentit, sepse ai është pushteti i parlamentit, vendimi për të hapur, për të autorizuar organet e drejtësisë, është pushtet parlamenti. Por Edi Rama nuk njeh as ligj as moral”, tha Berisha.

I pyetur nëse do t’ia thoshte në sy Edi Ramës akuzën se është përgjegjës për hetimin në SPAK, Berisha tha se: “Unë nuk ka diskutim që ia them dhe do t’ia them, po nuk ia mbathi, po qendroi aty. Beteja është pa kthim.”

Nga ana tjetër, në GJKKO ndodhet avokati i Berishës Genc Gjokutaj, pasi po sot në orën 09:00, mbahet seanca në Apelin e GJKKO për ankimin e Berishës dhe Malltezit kundër masave të sigurisë të dhëna për aferën e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

Top Channel