“Asociacioni, autonomi për serbët”/ Opozita në Kosovë e shqetësuar për draftin që po qarkullon

19/11/2023 12:35

Opozita e Kosovës është e shqetësuar për draftin e Asociacionit për të cilin kryeministri Albin Kurti shprehet i gatshëm të nënshkruajë gjithçka.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë të më të zëshmet në këtë shqetësim siç thonë për rrezikun që i kanoset vendit me draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor.

Megjithëse nuk është bërë publik ende, në opinion po qarkullon një draft i prezantuar nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, për të cilin deputetët e dy partive opozitare thonë se është origjinali. Sipas tyre, aty ka elemente që janë problematike për vendin dhe që krijon një lloj autonomie për serbët në veri.

“Duhet të jemi të qartë se as Serbia dhe as Kosova nuk mund t’i plotësojë të gjitha kërkesat e veta që ka qoftë në lidhje me Asociacionin, qoftë nesër në vendosjen e kufijve…Ka shqetësime në disa fusha, por me negocimin e këtyre çështjeve veçanërisht me preambulës ajo që përmend rezolutën 1244 për zgjidhje është problematike për neve. Janë edhe disa çështje të tjera që me siguri qeveria dhe ekspertët që janë duke punuar në të dhe i kanë përgatitur vërejtjen dhe i kanë dërguar në Bruksel”, deklaroi Haliti Xhavit Haliti-deputeti i PDK-së.

Më kritik ndaj ekzekutivit në lidhje me dialogun dhe për Asociacionin, është deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Mendoj se jemi në një terr informativ si asnjëherë më parë sa i përket çështjes së draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë etapë por ja që tani po fshehin dhe po tentojnë të kontrabandojnë diçka që është me rëndësi jetike për funksionimin e shtetit të Kosovës dhe sikurse të ishte gjithçka në rregull ai draft do të ishte në duart e deputetëve“, tha Pal Lekaj-deputet i AAK.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë.

“Shqetësimet për (autonomi) janë të individëve të atyre që shpërndajnë drafte. Ne nuk punojmë me shqetësime dhe ne punojmë me analiza. Për më tepër kushtetutshmërinë e draftit të dërguar nga miqtë tanë ndërkombëtar e vërteton Gjykata Kushtetuese, as analistët në studio dhe as politikanët. Janë njerëz që marrin pagë mujore për me vlerësuar kushtetutshmërinë e dokumenteve që iu rezervohen atyre”, deklaroi Bislimi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të enjten në Bruksel është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, por jo shefin e të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petar Petkoviç.

 

Top Channel