Sulmet ajrore izraelite vrasin 28 palestinezë në jug të Rripit të Gazës (fotot)

18/11/2023 18:04

Dhjetra njerëz mbeten nën rrënoja pas sulmeve izraelite ndaj dy zonave rezidenciale në Khan Younis.

Të paktën 28 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite të shtunën në zonën Hamad, tha korrespondentja e rrjetit Al Jazeera, Youmna ElSayed, duke raportuar nga Khan Younis. Dhjetra të tjerë u plagosën, shumë prej të cilëve fëmijë.

Ndërsa një tjetër bombardim goditi në qytezën e Khuza, në lindje të Khan Younis, shtoi ajo.

“Numri total i të vrarëve është 28 njerëz, por dhjetra janë plagosur dhe të tjerë janë ende nën rrënoja në zonën rezidenciale të Hamad,” tha ElSayed duke cituar drejtorin e qendrës mjekësore të Nasser, i cili kishte marrë 26 trupa dhe 23 njerëz me plagë të rënda pas sulmit në Hamad, konfirmonte gjithashtu rrjeti AFP.

Zhvillimi vjen teksa mijëra palestinezë janë zhvendosur në jug të Rripit të Gazës sipas urdhrit të Izraelit për të evakuar rajonet veriore, duke pretenduar se është ‘më e sigurtë’ prej ofensivës tokësore të ushtrisë.

Dy të tretat e këtyre njerëzve janë tashmë të pastrehë.

Javët e fundit bombardimet izraelite po intensifikohen dhe në jug.

Rezidentë të zonave Khuzaa, Abassan, Bani Suheila e al-Qarara në lindje të Khan Younis, thanë se avionët izraelitë kishin lëshuar fletushka një ditë më parë, për t’i paralajmëruar të largohen.

Në to thuhej: “Për sigurinë tuaj duhet të largoheni nga vendet e rezidencës dhe të shkoni drejt strehimeve të njohura. Kushdo pranë terroristëve apo impjanteve të tyre rrezikon jetën, çdo shtëpi e përdorur nga terroristët do të shënjestrohet”.

Ndërkohë nuk dihej se ku duhet të largoheshin rezidentët e lindjes së Khan Younis pasi më parë Izraeli kishte urdhëruar që njerëzit të zhvendoseshin në këtë rajon për siguri.

Mark Regev, këshilltar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha se po u kërkojnë njerëzve të zhvendosen sepse “nuk duam që civilët të gjendet mes zjarrit”.

“Po u kërkojmë të zhvendosen në zona ku ka tenda ose spitale fushore, pranë kufirit të Rafah me Egjiptin, ku dhe ndihma humanitare mund të vijë më shpejt”, shtoi ai.

Që prej 7 tetorit, më shumë se 12,000 njerëz në Rripin e Gazës, 5,000 prej tyre fëmijë, janë vrarë nga bombardimet izraelite të zonës së rrethuar nga banonin rreth 2.2 milionë njerëz. /AlJaseera/

FOTO GALERI
2/2
Zhvillimi vjen teksa mijëra palestinezë janë zhvendosur në jug të Rripit të Gazës sipas urdhrit të Izraelit për të evakuar rajonet veriore

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA