Bota e teknologjisë është në shok!

Të premten, Sam Altman, një nga yjet më të ndritshëm të industrisë në lulëzim të inteligjencës artificiale, u largua pa nderime nga kompania që ai vetë bashkëthemeloi, një firmë që për herë të parë prezantoi shumë njerëz drejtpërdrejtë me konceptin e AI-it.

Inteligjenca artificiale ka qenë prej kohësh e pranishme në jetët tona, por deri në mbërritjen e ChatGPT, shumica e njerëzve nuk kishin folur kurrë më parë me të. Shkarkimi i Altmanit nga OpenAI, kompania e cila qëndron pas chatbotit të famshëm, ishte sa i menjëhershëm, aq edhe dramatik thotë BBC. Në një deklaratë sqaruese, anëtarët e bordit drejtues thanë se ai në mënyrë të vazhduar nuk kishte qenë i sinqertë në komunikimet me ta, e për rrjedhojë, e kishin “humbur besimin” në lidershipin e tij.

Bashkëthemeluesi tjetër, Greg Brockman, i cili u shkarkua nga bordi pak minuta pas Altmanit, pohoi se të dy kishin mbetur të tronditur nga kjo që ndodhi. Bordi përbëhej nga vetëm 6 persona, përfshirë Altmanin dhe Brockmanin, çka do të thotë se për shkarkimin e tyre të beftë, kishin vendosur katër të tjerët.

Vendimi ka ngjallur diskutime të mëdha aq më tepër për faktin që ai erdhi vetëm pak kohë pasi Altman iu drejtua liderëve botërore lidhur me rreziqet dhe përfitimet e teknologjisë së fuqishme, e pohoi përpara tyre me mjaft sinqeritet se AI ishte “një mjet dhe jo një krijesë”, e përcolli frikën e tij se Inteligjenca Artificiale, një ditë mund të dalë jashtë kontrollit.

Vendin e tij në krye të kompanisë e merr përkohësisht shqiptarja Mira Murati. Shumë media botërore, ndër to edhe gazeta prestigjioze amerikane, New York Times i ka kushtuar një artikull inxhinieres shqiptare, duke i njohur kontributin në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Murati iu bashkua OpenAl në vitin 2018, e përpara kësaj ka qenë pjesë e kompanisë Tesla, ku luajti një rol kryesor në zhvillimin e makinës Model X dhe Leap Motion, ndwrsa lidhur me OpenAI-t, siç thotë NYT, ka ndihmuar në formimin e politikës së saj të inteligjencës artificiale në Uashington dhe Europë.

Top Channel