Mësime të historisë që “kryesisht kapërcehen” dhe “mezi përmenden”.
Kështu i përshkruajnë të rinjtë nga Serbia njohuritë e marra në shkolla për luftërat e viteve ‘90 në territorin e ish-Jugosllavisë. Kata, 19 vjeçe, nga Beogradi, thotë se kjo temë “nuk i intereson”.
“Një pjesë e të rinjve është e interesuar për këtë temë, por një shumicë e madhe nuk është”, shprehet ajo.
Hulumtimi “Qëndrimet e të rinjve në Serbi për luftërat e viteve ‘90”, i bërë nga Iniciativa joqeveritare e të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), tregon se të rinjtë në Serbi dinë pak për luftërat e viteve ‘90. Tri të katërtat e të anketuarve, nga mosha 18 deri në 30 vjeç, besojnë se kjo temë është trajtuar “pak” ose “fare” në shkolla.
Çfarë thonë të rinjtë?
Nevena, 26 vjeçe, thotë po ashtu se “nuk është e interesuar për këtë temë”.
“Së pari, nuk e kam atë kulturën e bisedave politike në shtëpi. Mua asnjëherë nuk më ka interesuar politika, ndryshe prej bashkëmoshatarëve të mi që janë shumë të interesuar për të”, thotë Nevena për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se mban mend që në shkollë mësohej, por jo shumë.
“Kryengritja e Parë dhe e Dytë Serbe [kryengritjet kundër sundimit osman në shekullin e 19-të] dhe Lufta e Parë Botërore pasqyroheshin më shumë, ndërsa vitet 1990 shumë sipërfaqësisht”, thotë Nevena.
Jovani, 20 vjeç, thotë se në shkolla mësohet për luftërat e viteve ‘90, por “jo objektivisht”.
“Të rinjtë dinë vetëm atë që u kanë thënë prindërit e tyre, e kjo ndoshta është mjaft e njëanshme. Është interesante të shohësh numra realë, motive reale… Informacioni i besueshëm është gjithmonë i vështirë për t’u gjetur”, thotë Jovani.
Marija Vasiq, profesoreshë e sociologjisë në gjimnazin “Jovan Jovanoviq Zmaj” në Novi Sad, tha gjatë prezantimit të hulumtimit se të rinjtë nuk janë të painteresuar, por atyre nuk u janë ofruar njohuri adekuate për luftërat e viteve ‘90.
“Mësimet vendosen në fund të librit dhe ajo që shohim, është se mësuesit u shmangen, pra justifikohen gjithmonë, duke thënë se është fundviti dhe nuk kanë arritur”, tha Vasiq, duke shtuar se shumë mësimdhënës nuk pajtohen me atë që shkruhet në tekstet shkollore.
Anja Zlloporuboviq, nga Nisma për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thotë se shmangia e bisedave për luftërat e viteve ’90, krijon një lloj frike te të rinjtë.
“Të rinjtë nuk guxojnë t’i pyesin të moshuarit, t’i pyesin profesorët… nuk guxojnë ta pyesin askënd për këto tema, sepse ose do të marrin përgjigje të njëanshme, shumë subjektive, ose nuk do ta marrin fare atë. Aty vjen momenti kur kjo frikë shkakton injorancë, e pastaj ajo injorancë shkakton urrejtje dhe çdo gjë tjetër që shkon bashkë me të”, thotë Zlloporuboviq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas profesoreshës Vasiq, është e nevojshme të gjendet një mënyrë për t’iu afruar të rinjve, në mënyrë që përmbajtja të jetë më e kapshme për ta.
“Para së gjithash, duhet të kemi një kulturë kujtimi dhe ballafaqimi, ta shohim se cila është e vërteta, kush ka bërë çfarë, në emër të kujt, a jemi fajtorë apo jemi përgjegjës nëse heshtim dhe nëse nuk reagojmë… dhe vetëm atëherë të niset me disa procese pajtimi”, thotë Vasiq për Radion Evropa e Lirë.
Vasiq thotë se e gjithë shoqëria duhet të kalojë nëpër një “ridefimim të plotë të atyre gjërave”.
“Por, kjo bëhet përmes konsensusit kulturor, përmes miratimit të vlerave… dhe është një proces i gjatë dhe i vështirë”, thotë ajo.
Sipas saj, gjëja e parë që duhet bërë, është pranimi i krimeve, por edhe largimi i personave të dënuar për krime lufte nga hapësirat publike. Sa për ilustrim, ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-99, iu bashkua programit të Shkollës Fillore “Gjura Jakshiq” në Vojvodinë, në maj të këtij viti, përmes një video-lidhjeje nga burgu në Finlandë, ku po vuan dënimin.
Në Panairin e Librit në Beograd, këtë vit, sikurse edhe në vitet e kaluara, librat i promovoi edhe Vojisllav Sheshel, udhëheqës i Partisë Radikale Serbe, i dënuar për krime lufte në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës në vitin 1992.
Hulumtimi “Qëndrimet e të rinjve në Serbi për luftërat e viteve ‘90” tregon se kur bëhet fjalë për besimin në Tribunalin e Hagës – ku u gjykuan përgjegjësit për krimet e luftës në territorin e ish-Jugosllavisë – pothuajse 41 për qind e të anketuarve besojnë se qëllimi kryesor i kësaj gjykate ka qenë “vendosja e fajit për krimet e luftës mbi serbët”.
Edhe pse Serbia ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës dhe ka ekstraduar të pandehurit për krime lufte që janë fshehur në territorin e saj, udhëheqësit qeveritarë nuk i kanë pranuar verdiktet dhe përgjegjësitë e udhëheqjes serbe për krimet e luftës, ndërsa kanë mohuar edhe përfshirjen e shtetit në ngjarjet e viteve ‘90.
Përveç udhëheqjes policore dhe ushtarake, edhe ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në paraburgim në vitin 2006, është gjykuar para Tribunalit të Hagës për krime lufte. Partia Socialiste e Serbisë, e udhëhequr nga Millosheviq, është edhe sot pjesë e Qeverisë në Serbi.
Informim i njëanshëm për luftërat e viteve ‘90
Autori i hulumtimit, Rodolub Jovanoviq, thotë se të rinjtë në Serbi dinë më së shumti për ngjarjet që kanë kërcënuar grupin etnik serb.
“Qëndrimi i tyre bazohet më pak në njohuri dhe më shumë në ndjenja”, thotë Jovanoviq.
Si krimet më të mëdha nga luftërat e viteve ‘90, të rinjtë kanë përmendur operacionet e ushtrisë dhe policisë kroate “Olluja” dhe “Blesak”, në vitin 1995, me të cilat Kroacia ka rifituar kontrollin mbi të vetëshpallurën Republika Sërpska Krajina.
Kroacia e cilëson “Ollujën” si fitore të saj vendimtare në Luftën e Atdheut më 1991-95, ndërsa Serbia e shënon atë si spastrim etnik të serbëve nga Kroacia. Varësisht burimit, përllogaritjet për numrin e serbëve që janë larguar nga Kroacia gjatë “Ollujës”, variojnë nga 130.000 deri në 300.000.
Të intervistuarit kanë përmendur edhe bombardimet e NATO-s në Jugosllavi më 1999 si ngjarje kyçe në vitet ‘90. NATO-ja ka nisur bombardimin e caqeve të ushtrisë jugosllave më 24 mars 1999, pas raportimeve të shumta për dhunë të ushtruar nga ushtria dhe policia serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Bombardimet kanë përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, më 9 qershor 1999, pas së cilës ushtria dhe policia serbe janë tërhequr nga Kosova.
Në bombardimet e NATO-s kanë humbur jetën 756 persona, përkatësisht 452 civilë dhe 304 pjesëtarë të forcave të armatosura, sipas të dhënave të Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe në Kosovë.
Megjithatë, shteti serb nuk ka përpiluar asnjëherë ndonjë listë të viktimave, kështu që numri i tyre është shpesh subjekt i manipulimeve nga zyrtarët qeveritarë. Pak më pak se pesë për qind e të anketuarve në sondazhin e Iniciativës joqeveritare të të rinjve për të drejtat e njeriut e kanë veçuar Srebrenicën si krimin më të madh të viteve ‘90. Në vitin 1995, forcat serbe kanë vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës.
Autoritetet në Serbi, përkundër vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e pranojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Qëndrimet e njëanshme ndodhin sepse në Serbi përkujtohen vetëm krimet në të cilat janë vrarë serbët, por jo ato kundër popullatave të tjera, sipas profesoreshës Vasiq.
“Për shembull, Srebrenica është një nga temat më tabu në Serbi, për të cilën pakkush guxon të thotë se cili ka qenë vendimi i gjykatës ndërkombëtare. Shumë pak njerëz guxojnë të thonë se vendimi ka qenë gjenocid, jo vetëm një krim lufte”, thotë Vasiq.
Ajo shton se vetë tekstet shkollore spekulojnë për numrin e viktimave.
Si miratohen tekstet shkollore?
Procedura për miratimin e teksteve shkollore të historisë, si edhe të tjerave, është e rregulluar me Ligjin për tekstet shkollore në Serbi. Së pari, miratohet kurrikula për një lëndë specifike, të cilën e sjell shteti dhe jo botuesit.
Botuesit shkruajnë tekste sipas planit të miratuar, ndërsa Instituti për Avancimin e Arsimit dhe Aftësimit jep vlerësimin profesional. Nëse teksti i plotëson të gjitha kriteret, procedura përfundon me vendimin e Ministrisë së Arsimit që teksti të vihet në përdorim. Pas kësaj, shkollat zgjedhin se cilat tekste do t’i përdorin nga katalogu i Ministrisë. /REL
Top Channel