Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale e Serbisë, e ka mohuar që mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë prej listave të votuesve dhe që policia i ka pasivizuar adresat dhe i ka lënë banorët pa dokumente personale.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ministri për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale dhe presidenti i trupit koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviç, ka thënë se këto pretendime janë “të papranueshme dhe plotësisht të pasakta”.

“I ashtuquajturi pasivizim i adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, nuk është duke ndodhur”, ka thënë ai, duke theksuar se shqiptarët në Serbi “kanë të drejtë për të votuar dhe të gjitha të drejtat tjera, sikurse të gjithë shtetasit tjerë të Serbisë”.

Sipas tij, pasivizimi i adresave bëhet “në përputhje me ligjin”.

“Ministria e Punëve të Brendshme e ka një procedurë unike për verifikim të adresave, prandaj nuk mund të thuhet se ka të bëjë me një grup apo territor specifik”, ka shtuar Martinoviç.

Ministria ka thënë, po ashtu, se prej fillimit të vitit 2023 “nuk është dorëzuar asnjë apel kundër vendimeve për fshirje të personave nga lista e votuesve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

Reagimi i Martinoviçit vjen një ditë pas artikullit të Radios Evropa e Lirë, që raporton për historinë e Safet Demiroviçit dhe Teuta Fazliut, shqiptarë prej jugut të Serbisë, adresat e të cilëve janë pasivizuar. Diçka e tillë dyshohet se është bërë nën arsyetimin se ata nuk jetojnë në adresat e regjistruara.

Rasti i Demiroviçit dhe Fazliut ka arritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, dhe në apel është thënë se ata janë viktima të diskriminimit, dhe që policia ilegalisht i ka fshirë prej adresave, në mënyrë që t’iu mohohen të drejtat themelore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA