Kosova, propozimi për vizat: T’ju hiqen shtetasve që kanë pasaporta të Serbisë!

17/11/2023 13:11

Teksa pak muaj i ndajnë shtetasit e Kosovës nga heqja e regjimit të vizave, Komisioni Europian, propozoi që vizat të hiqen edhe për personat e pajisur me pasaporta të Republikës së Serbisë por që banojnë në territorin e Kosovës.

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Por me kërkesë të BE-së, është dashur të krijohet një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Prillin e këtij viti, KE-ja theksonte se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për qytetarët me pasaporta të Kosovës dhe jo për ata që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Asokohe, qe vlerësuar se ekziston rreziku i emigrimit, si dhe disa çështje sigurie.

Në propozimin e fundit, Komisioni argumenton se tani nuk ekzistojnë arsyet për shkakun e të cilave ishte vendosur që mbajtësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos e kishin mundësinë e udhëtimit pa viza, ndryshe nga shtetasit serbë me vendbanim në Serbi. Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen. Pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, mbajtësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes së lirë.

Top Channel