Imagjinata e krijuesve të meme-ve të rrjeteve sociale ka rritur kulmin me zhvillimin më të fundit në vendin tonë, marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët.
Besoj se çdokujt prej jush i ka rënë rasti të paktën një herë të shikojë meme-t të cilat janë bërë virale.
Videot apo fotot janë kryesisht pamje të shtetasve afrikanë me në sfond muzikë patriotike shqiptare, apo këngët më virale të momentit.
@skam_emer_pra #gjonnecaj #gjoninecaj #gjon_necaj ♬ original sound – 🇮🇹3️⃣3️⃣3️⃣🇦🇱
Në video janë përfshirë edhe personazhe të famshëm apo politikanë me një përshkrim gazmor si për shembull “Matura 2023-2024 Lezhë”, “Fansat e Luiz Ejllit në Big Brother VIP nga Lezha”, “Parlamenti 2030”, “Fushata zgjedhore 2027 për kryebashkiakun e Lezhës”.
@kazi.al #CapCut ♬ Shota Alban Chela Remix – Alban Chela
Faqe të ndryshme meme-sh kanë marrë edhe kronika të mediave, përfshirë edhe Top Channel, ku janë realizuar intervista me shtetas afrikanë që qëndrojnë në Shqipëri. Apo kronika të realizuara për Lezhën të modifikuara me pamje nga Afrika.
@_albanian_patriot_Po nuk pati reagim kjo do behet realitet ne nje te ardhme te afert.♬ original sound – Alesia Kujosa
Meme-t kanë tërhequr edhe vëmendjen e kryetarit të bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreut, i cili përmes një postimi ka reaguar me ironi duke hapur një garë për meme-n më të realizuar nga qytetarët.
“Kush gjen meme-n më të këndshme, apo kush e bën një të re, një komision prej tre vetash të nominuar nga unë do shpallë një fitues! Fituesit do i garantohen 7 ditë pushime në një prej resorteve më të mira të Shëngjinit me pronar të bardhë. Materialet do administrohen në inbox-in tim, do postohen në faqen time! Fituesi do shpallet në bazë të like-ve! Të shohim kush e shfryn fantazinë më shumë!”, shkruan Ndreu në faqen e tij në Instagram.
I kontaktuar nga Web Top Channel kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha: Nuk dua të bëj koment. Çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë në Facebook.
Humor apo protestë?!
Ndërkohë që kryebashkiaku i Lezhës hap garë për meme-n më të bukur në rrjete sociale, ai i Fushë Arrëzit, Hil Curri del vullnetar t’i presë afrikanët.
Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit i ka dërguar një letër në datën 7 nëntor, kryeministrit Edi Rama, ambasadorit të BE-së në Shqipëri dhe përfaqësuesit të zyrës së emigrantëve të Kombeve të Bashkuara për të ofruar vullnetarisht ndihmë në pritjen e emigrantëve që do të vijnë nga Italia.
Bashkia e Fushë Arrëzit është në gatishmëri, sipas kryetarit për t’u ofruar emigrantëve të gjitha kushtet që u duhet për të ndërtuar jetën e tyre në siguri të plotë, ndërsa kërkon përfshirjen në dialogun që po bëhet për vendet e strehimit të tyre.
“Çështja humane në këto raste është detyrë e çdo kryetari bashkie apo çdo personi në Shqipëri që e ndjen veten pak human. Por kjo gjithashtu ka lidhje edhe me bashkinë e Fushë Arrëzit që ka prit ndër vite, refugjatët hebrenj, e më pas duke ardhur me kohën e kapitullimit të Italisë fashiste që ka prit italianët që ka pasur në çdo shtëpi të bashkisë së Fushë Arrëzit në atë kohë dhe pjesa tjetër kemi pritur edhe vëllezërit tanë kosovarë”, tha Curri.
Nga ana tjetër, futbollisti nigerian, Daniel Mohmoh i cili luan për skuadrën e Kukësit, tha për Web Top Channel se kjo marrëveshje do të ishte një ndihmë e madhe për shtetasit afrikanë.
Ai shprehet se njeh një grup nigerianësh të cilët synojnë të jetojnë jashtë vendit të tyre.
“Unë mendoj se do të jetë një ndihmë e madhe nëse synimet janë për të ndihmuar dhe veprimet e tyre janë të motivuara nga dashuria dhe jo fitimet egoiste. Unë njoh një grup nigerianësh të cilët ëndrrat e tyre janë të shkojnë jashtë Nigerisë, jashtë vendit, veçanërisht në Evropë ose Amerikën e Veriut, SHBA dhe Kanada”, tha Mohmoh.
Ndërsa çdo temë aktuale që ‘ngacmon‘ kthehet në trend meme-sh në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok, nuk dihet ende nëse kjo është një formë e re moderne proteste në rrjetet sociale nga të rinjtë apo thjesht humor klikimesh.
Kujtojmë se marrëveshja e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë për pritjen e 3 mijë emigrantëve në muaj është dorëzuar në parlament dhe kërkon një shumicë të thjeshtë me 71 për t’u ratifikuar.
Erjona Dervishi/ TCH
Top Channel