Mesfushori moldav Vadim Rata ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në krah të trajnerit Kleshchenko, para përballjes ndaj Shqipërisë, që do të vendosë jo pak sa i përket rrugëtimit të tyre në Euro 2024.
Rata thuri elozhe për tifozerinë kuqezi, duke deklaruar se Shqipëria mposhti Moldavinë fillimisht dhe më pas Poloninë e Çekinë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme nga tribuna, teksa përsëriti të njëjtin apel edhe për fansat moldavë.
“Presim një mbështetje të madhe nga tifozeria nesër. Shqipëria na mundi në ndeshjen e parë falë tifozerisë së jashtëzakonshme, që e mbështeste fuqishëm. Falë tyre ata fituan edhe me Poloninë e Çekinë, ndaj edhe ne duam një mbështetje të fortë në sfidën e nesërme. Duam ta kemi në krah lojtarin e 12 dhe shpresojmë që edhe fusha të flasë në favorin tonë”, deklaroi ai.
Më pas mesfushori Rata provoi të largojë disi presionin nga vetja dhe shokët e skuadrës, teksa deklaroi se Shqipëria është me të vërtetë kundërshtari më i fortë në grup.
“Ne e kemi parë në fushë që ata janë skuadra më e fortë e grupit dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Jemi para një momenti historik, por nuk duhet të mendojmë për objektivat dhe për shanset e kualifikimit, pasi presioni i tepërt nuk të lejon të japësh maksimumin në fushë. Ne do të hyjmë në fushë të përqendruar dhe gati të fitojmë çdo dyluftim, me shpresën që do të marrim rezultatin që duam. Nuk dua të flas për shanse kualifikimi, apo kombinime rezultatesh”, tha Rata.
Top Channel