Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shpreson që Kosova dhe Serbia do të arrijnë më në fund një marrëveshje mes tyre.

Në kohën kur kryenegociatorët e të dy vendeve u mblodhën sërish sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti mbi normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, kreu i Elizesë pati një takim me studentët e Universitetit të Lozanës.

Ai u pyet veç të tjerash edhe mbi situatën aktuale në Ballkan. Duke iu referuar tensioneve në Kosovë, Macron tha se ato janë qetësuar paksa dhe se shpreson që liderët e të dy vendeve ta pranojnë planin e hartuar, i cili ndihmon në shtensionimin e gjendjes. Ai shtoi se druhet nga konfliktet etno-fetare që po zhvillohen në rajone të ndryshme të botës, por nuk sheh rrezik në Ballkan.

“Jam i shqetësuar për këto pjesë të globit,  por jo për një rifillim të konfliktit në Kosovë”, deklaroi presidenti francez. Ndonëse e vlerësojnë si pozitive deklaratën e udhëheqësve europianë se kanë pritshmëri të larta nga përfaqësuesit e Kosovës e Serbisë,  analistë të ndryshëm mendojnë se gjasat janë të vogla që kjo të ndikojë në pozicionet e palëve.

Problemi kryesor tani po shihet tek Beogradi që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe ndonëse synon integrimet evropiane, ruan lidhje të ngushta me Moskën, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA