Shtetasit shqiptarë që jetojnë brenda apo jashtë vendit nuk do të jenë në gjendje të marrin shërbime online nga portali qeveritar e-Albania nëse nuk deklarojnë në mënyrë të saktë vendbanimin e tyre.
Në projektligjin e nxjerrë për konsultim nga Ministria e Brendshme bëhen një sërë ndryshimesh në procedurat e gjendjes civile. Rishikohet koncepti i vendbanimit dhe vendqëndrimit të shtetasve dhe rivendoset një afat deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit për deklarimin e adresës brenda dhe jashtë vendit.
Nëse shtetasit ndryshojnë vendbanim ata duhet ta deklarojnë atë jo më vonë se 30 ditë pas ndryshimit. Për të reduktuar sa më pak deklarimet e fiktive, ligji parashikon verifikimin e deklarimit të adresës nëpërmjet strukturave përkatëse në pushtetin vendor. Shtetasit mund të deklarojnë më shumë se një vendbanim. Deklarimi i adresës brenda ose jashtë vendit do të ofrohet vetëm nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.
Projektligji gjithashtu kërkon të adresojë fenomenin e martesave fiktive ku shtetas me problematika në vendet e hapësirës Shengen shfrytëzojnë të drejtën e ndryshimit të mbiemrit nëpërmjet lidhjes së martesës, duke shmangur ligjin. Këto martesa nuk konsumohen asnjëherë. Nëpunësit e gjendjes civile tashmë do të kenë kompetencë të verifikojnë në mënyrë administrative këto martesa.
Ligji gjithashtu synon t’i japë të drejta të plota nëpunësve në ambasada dhe konsullata, duke qenë se një pjesë e mirë e shtetasve shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ku ndodhin dhe faktet juridike të lindjes, martesës apo vdekjes.
Projektligji më tej parashikon se do të jetë ministri që mbulon shërbimin e gjendjes civile për të nxjerrë mënyrën e aplikimit, rregullat për ndryshimin e vendbanimit dhe mënyrën e administrimit të dokumentacionit.
Top Channel