Në Bruksel të enjten ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak takoi veç e veç kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë si vazhdim i diskutimeve për normalizim të marrëdhënieve.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit nuk kishte nevojë për takim të përbashkët e se nuk është diskutuar për draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

 “Në agjendë ka qenë si pikë por ne vetëm se i kemi treguar z. Lajçak që kemi një pozicion të qartë të artikuluar me 26 tetor”, tha Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialog.

Shtoi se pika kryesore e diskutimit ishte plani i sekuencimit të Marrëveshjes bazë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë që Kosova do të dërgojë komentet e saj për të finalizuar planin.

“Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, z. Lajçak ka sjellë një draft të ri i cili e futë për herë të parë paralelizmin në zbatim të marrëveshjes apo zbatimin më të balancuar dhe jemi përpjekur të japim komentet finale në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm për Kosovën”, u shpreh Bislimi.

Ai tutje njoftoi se është diskutuar për të zhdukurit me dhunë, energjinë e për zgjedhjet e parakohshme në veri ku theksoi se Lajçak pati kërkesa.

“Aty kishte shqetësim të vogël për përmbajtjen e formularit i cili do të përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve dhe mendoj që pala kosovare mund të akomodojë kërkesën e BE që ishte thjeshtë që të mos vendoset numri i telefonit në formular”, shtoi ai.

Mes tjerash u diskutua për procesin e riregjistrimit të veturave të qytetarëve serbë që sipas kryenegociatorit të Kosovës, Lajçak ka pasur kërkesa tutje në mënyrë që qytetarët serbë ta kenë më të lehtë pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA