Qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për shtatë kategoritë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se nga ky kategorizim përfitojnë rreth 8 mijë zyrtarë policorë, ndërkohë që njoftoi për takimin e djeshëm me njësitë elitare të policisë. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se këto shtesa nuk kanë ndryshime.

Shefi i ekzekutivit shtoi se në takimin e djeshëm me zëvendësdrejtorin e PK-së dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese kanë diskutuar gjatë rreth kërkesave të tyre.

Ai u zotua se janë të përkushtuar për kushte më të mira për Policinë e Kosovës por edhe për siguri në punë.

“Shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të prezantohen për miratim sot. Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, me të cilët diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë mbi kategorizimin dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë. Në takim bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Sveçla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Murati, i njoftuam dhe i siguruam dhe i siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet të cilat ekzistojnë, jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, në mënyrë që krahas lehtësimit në punë të ndikojmë drejtpërdrejt po ashtu edhe në uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”.

Kurti shtoi se me këtë kategorizim do të përfitojnë rreth tetë mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Shtesat për rrezikshmëri do të fillojë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat, ai do të ndahet në mënyrë retroaktive. Me aprovimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë afro tetë mijë zyrtarë policor, apo saktësisht 7991”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se lista me shtesat e rrezikshmërisë nuk ka pësuar ndryshime.

“Lista është ajo që është prezantuar edhe nga kryeministri në mbledhjen paraprake të qeverisë….Shtesat e miratuara janë në nivel prej 7,6 milionë euro të cilat edhe tejkalojnë edhe kufirin e paraparë me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. Ky vendim ose vendimi është nga Ministria e Financave për të rritur këtë kufij, por megjithatë konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe nga grupi punues edhe nga komisioni, në mënyrë që të sigurohemi që të ketë një shpërndarje dhe një vlerësim të drejtë, duke marrë parasysh të gjitha specifikat e punës por njëkohësisht edhe kufizimet të cilat ekzistojnë qoftë me ligjet në fuqi sa i përket rregullimit të pagave në sektorin publik apo edhe me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”.

Shtesat për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt do të jenë në vlerë prej 150 euro, raporton KosovaPress. Njësia për Eksplozivët dhe Deminim do të ketë shtesa prej 120 euro. 100 euro do të kenë pjesëtarët e patrullave kufitare, derisa të hetuesisë nga 75 euro në muaj.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës që shërbejnë si ekipe reaguese dhe patrullat do të marrin 60 euro shtesa në muaj, ndërsa pjesëtarë të tjerë të cilët sigurojnë objektet dhe angazhohen në menaxhim të operacioneve kanë shtesa të rrezikshmërisë në vlerë prej 50 euro. 

Top Channel