Kryeministri Edi Rama, nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Dibër, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës gjatë protestës së 21 Janarit 2011.
Sipas Ramës, ’21 Janari’ është një krim shtetëror që nuk mund të mbetet kurrë pa ndëshkuar dhe me vendimin e marrë, Gjykata e Strasburgut hodhi poshtë procesin farsë të zhvilluar nga drejtësia shqiptare.
I ndalur te veprimet e Gardës së Republikës, Rama tha shprehimisht se duhet të ishte gjykuar zinxhiri i komandimit, pasi atë ditë, janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesve të opozitës socialiste të kohës, një pjesë e të cilëve goditën duke u marrë jetën 4 qytetarëve; Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda.
‘Si ka mundësi që pushkët e shtetit kanë vrarë qytetarë të këtij shteti’, shprehet në mosbesim kryeministri, ndërsa shton se ‘vendimi i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret, më i freskët, i shprehjes drejtësia mund të vonojë por nuk harron.’
“Ju e patë dje, e ndoqët, e dëgjuat që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg… Vendimet e saj janë udhërrëfyes për Europën për shtetin e së drejtës në Europë dhe janë detyruese për çdo vend europian. Dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut dje nxorri vendimin duke e rrëzuar të gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për ’21 Janarin’ dhe duke e nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që do të ishte trajtuar pa diskutim ashtu siç e nënvizon Gjykata e të Drejtave të Njeriut nga çdo vend demokratik Europian.
Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala se cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesve që nuk paraqesnin asnjë rrezik, për askënd. Prandaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit kanë vrarë qytetarë të këtij shteti. Dhe si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit, si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa asnjë fije drejtësie të drejtë por vetëm një rivrasje të dytë dhe një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre. Ky vendim i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret, më i freskët, i shprehjes drejtësia mund të vonojë por nuk harron.
21 Janari është nga to krime për të cilat mund të ndodhë se vonesa e drejtësisë të jetë më e gjatë sesa drejtësia më e vonuar. Është nga ato krime që kurrën e kurrës nuk mbeten pa ndëshkuar, në cilindo moment, sado vonë, nuk është e mundur sepse është një krim shtetëror. Është krim me urdhër të drejpërdrejt qeverie i paligjshëm. Dhe ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri. Në një rrugë të re ku për herë të parë që nga themelimi i Shqipërisë në 1912-ën, populli shqiptar po shikon se si një qytetar i zakonshëm, dhe një njëri i veshur me pushtet mund të jenë të barabartë“- tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, është meritë e socialistëve që qysh nga formimi i shtetit shqiptar në 1912-ën deri sot, vendi ynë për herë të parë ka një drejtësi të barabartë si për qytetarin e thjesht edhe për pushtetarët.
“Për herë të parë në historinë e popullit shqiptar, njerëz të veshur me pushtet, njerëz që deri dje dukeshin të paarritshëm nga dora e drejtësisë, njerëz që e bënin Shqipërinë të dukej tmerrësisht keq edhe në demokraci, sot janë të gjithë të prekshëm dhe miti i pandëshkueshmërisë është rrëzuar. Në Shqipëri nuk ka individ të pandëshkueshëm. Kjo duhet të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike sepse këtë hap historik në gjithë historinë e këtij vendi, që kur ngriti flamurin e pavarësisë, mundi t’ja mundësonte PS-ja.
Asgjë nuk ka peshën e rëndësisë historike që ka Reforma në Drejtësi, që ne e ëndërronim dem baba dem. Kur them e ëndërronim kam parasysh të gjithë socialistët, gjithë anëtarët e kësaj familje politike sepse për fat të keq qysh në krye të herës politika u nda në një mënyrë të keqe ku anën e keqe të historisë socialistët e kanë vuajtur që ditën e parë më 1991-shin, kur hidheshin në rrugë dhe së bashku me familjarët e tyre nuk shihnin dot një derë të shtetit të hapur. E kanë vuajtur edhe kur fitonin dhe nuk mund të gëzonin dot për këtë sepse kërciste një dajak që s’kishte lidhje me vlerat europiane.
Nëse ja jep çdo fëmije, mjafton të ketë marrë mësime shkrimi dhe këndimi në klasën e tretë dhe të katër, dhe i thua ja kush është njëra palë, ja kush është tjetra, ja fusha dhe vëru emër se kujt do ti vësh emrin e shkatërruesit dhe kujt të ndërtuesit qysh nga 1991, ai do ta thotë qartë. Dihet kush është ndërtuesi dhe kush është shkatërruesi i këtij vendi. Dhe kjo parti me të mirat dhe gabimet e saj ka pasur bon sensin e shtetit. Që shteti vjen para pushtetit. Nuk është rastësi që kjo reformë të cilën socialistët e ëndërronin si shqiptarë, u kthye në një projekt, u bë pjesë e programit“- tha Rama.
Më 21 Janar 2011, opozita e atëhershme socialiste thirri protestë pas videoskandalit Meta – Prifti, ku flitej për aferë korruptive. Protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë, me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Protesta u mbyll me tragjedi e më tej hetimet u mbyllën me verdikte për vrasje nga pakujdesie. Për 12 vjet, familjarët kanë shprehur kundërshtime mbi hetimet, duke kulmuar me protestën para SPAK që i kërkuan hetim të 21 Janarit si krim shtetëror.
Me një çështje që stërzgjatet dhe zgjohet në çdo përvjetor, familjarët e ’21 Janarit’ kërkuan që hetimet të drejtohen nga SPAK. Por, SPAK tha se çështja duhej hetuar nga e Tiranës përderisa dosja është e hapur nga kjo prokurori. Familjarët kundërshtuan në gjykatë duke këmbëngulur që hetimet të kryhen nga SPAK dhe morën dy humbje në të dyja shkallët. Tani çështja është në gjykatën e lartë dhe ende nuk ka një datë seance. Kërkesa që do të shqyrtohet është ajo, çështja të hetohet nga SPAK.
Në vendimin e saj, Gjykata e të Drejtave të Njeriut që u vu në lëvizje nga familja Nika konsideron fajtor shtetin për vrasjen e demonstruesit, i cili humbi jetën në Turqi.
Ndërkohë që tre të tjerët Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizaj u vranë në bulevard në të njëjtën protestë. Gjykata vlerëson se shteti dështoi të kontrollojë ngjarjen dhe përdori forcë vdekjeprurëse. Jo vetëm kaq, por GJEDNJ prek për herë të parë edhe përgjegjësit e akteve të dhunës dhe shkeljen e çdo të drejte, për të cilën duhet të ketë përgjegjës.
Top Channel