Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana do të mirëpresë shqiptarët nga gjithë bota në Paradën e Shqiptarëve që do të mbahet më 28 Nëntor.
Ftesës së kryebashkiakut Erion Veliaj i është bashkuar dhe kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj i cili fton bashkëqytetarët e tij që të udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar dhe të bëhen pjese e kësaj feste madhështore të shqiptarisë.
“Të nderuar bashkëqytetarë të Prizrenit. Këtë vit, 28 nëntor, Ditën e Flamurit, komunat dhe bashkitë e Unionit të Bashkive shqiptare në rajon do ta festojnë ndryshe. Do të jetë një festë madhështore, me pjesëmarrje madhështore nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë duke përfshirë këtu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Arbëreshët e Italisë si dhe nga të gjitha trevat e tjera. Dhe ne qytetarët e Prizrenit do të duhet t’i bashkohemi kësaj feste të madhe, kësaj parade, e cila do të mbahet në sheshin e Tiranës. Prandaj ju ftoj të gjithëve që keni mundësi të udhëtojmë për në Tiranë, me pjesëmarrjen tonë, ta zbukurojmë festën e Nëntorit, t’i japim hijeshi kryeqytetit shqiptar dhe të jemi kontribues në një promovim të vlerave tona. Ju falenderoj për gatishmërinë dhe ju presim në Tiranë. Mos harroni të udhëtoni”, shprehet Totaj.
Top Channel