Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takohet me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës.

Takimi pritet të mbahet në orën 16:00 të ditës së sotme, sipas KosovaPress.

Gjatë këtij takimi pritet të diskutohen kërkesat e tyre pas protestës për shtesat e rrezikshmërisë.

Pjesëtarët e NJSI-së, kanë protestuar më 1 nëntor para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Njësia Speciale e ndërhyrjes së shpejtë dhe ajo për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, kërkuan nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, rishikimin e vendimit për shtesat në pagë. Ata këmbëngulin në kategorizim si njësi të veçanta, përfshirjen e ekspertëve në listë, duan që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë, si dhe pretendojnë shtesa për kushte specifike të punës.

Pagat e policëve të Kosovës nis nga 210 euro në muaj për kadetët dhe mbërrin në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm. E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme. Ata nuk kanë as sigurime shëndetësore, as sigurim jete.

Top Channel