Gjykata Supreme shpalli të paligjshme politikën e kryeministrit Rishi Sunak për të dërguar në Ruanda azilkërkuesit, për t’iu shqyrtuar më pas kërkesat për azil.
Paneli prej pesë personash i gjykatës më të lartë në vend ka qenë në një linjë mendimi me Gjykatën e Apelit, e cila doli në përfundimin se kjo politikë specifike nuk ishte në përputhje me traktatet ndërkombëtare të nënshkruara nga Britania e Madhe.
Gjyqtarët kanë thënë se pajtohen me vlerësimin e Apelit që vendimi rrezikonte përballjen e refugjatëve me persekutim. “Duke i analizuar të dhënat, ne pajtohemi me ato përfundime”, thuhet në dokumentin prej 56 faqesh. Konservatorët e partisë së Sunakut këmbëngulnin tek skema e Ruandës si një element kyç sipas tyre në luftën kundër emigracionit të paligjshëm me anije të vogla e gomone nga La Manshi.
Vendimi i gjykatës përmbyll kështu një sagë të nisur prillin e vitit të kaluar, kur Londra zyrtare nënshkroi ujdinë me vendin afrikan për të dërguar emigrantë pa dokumente në qendra të përkohshme në atë shtet. Sunak deklaroi se tani, qeveria e tij do të shqyrtojë hapat e radhës që do të ndërmarrë lidhur me këtë çështje.
Vazhdimisht, organizatat e të drejtat e njeriut dhe mbrojtjes së refugjatëve kanë kritikuar planin e qeverisë britanike, duke e cilësuar të pazbatueshëm, qoftë edhe për shkak të kostove marramendëse.
Sipas “Home Office”, për çdo emigrant qe do të dërgohej në Ruanda, kostoja llogaritej 179 mijë sterlinave.
Top Channel