Përdorimi i skuterave elektrike po praktikohet gjithnjë e më shpesh, veçanërisht nga të miturit, si një mënyrë për të shmangur trafikun dhe mundësuar lëvizjen e shpejtë në qytet.

Por gjithnjë e më shumë po shtohen edhe aksidentet fatale nga përdorimi i tyre. Mbrëmjen e së hënës një gjimnazist humbi jetën në Durrës, dy javë pasi u aksidentua rëndë teksa po lëvizte me skuter në një nga rrugët kryesore të qytetit. Këto ngjarje rrugore kanë vënë në lëvizje policinë e shtetit e cila ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi dhe në shkolla.

Përsa i përket skuterave elektrikë nga ana e DVP Durrës janë marrë një sërë masash për konstatimin e shkeljeve të përdoruesve të këtyre mjeteve, por edhe për ndërgjegjësimin. Në shumë raste përdorues janë dhe minorenë nën 14 vjeç të cilët nuk e njohin legjislacionin dhe nuk kanë ndërgjegjësimin e duhur dhe në kuadër të këtyre kanë qenë dhe takimet që DVP ka zhvilluar me nxënës të arsimit parauniversitar”– tha specialisti i trafikut në DVP-në Durrës, Miludjan Çaçellari.

Shpejtësia relativisht e lartë, mungesa e pistave të dedikuara për skuterat, si dhe mungesa e mbrojtjes fizike nga përdoruesit e tyre i kanë kthyer skuterat në një burim rreziku.

“Ju e dini që rrugët në Shqipëri nuk janë në normat e duhura dhe skuteri nuk ka vend këtu. Humbi jetën dhe gjynah, por nuk është faji i askujt. Faji është lart. Duhen të gjitha, kaskat, duhen rrugët, sinjalistika e gjithçka“, tha një qytetar.

“Bezdisin se nuk kanë rrugë. Shumë të rrezikshme”, u shpreh një qytetare.

 “Mbrëmë një grua mori djalin me një skuter dhe kaloi kundravajtje. Turp. Nuk ka ndonjë polici që t’i kapë këto?! Duhet të futet në ligj ndëshkimi i tyre”, u shpreh një tjetër qytetar.

Për të shmangur rreziqet e shumta dhe për të siguruar një përdorim sa më të sigurtë, është e rëndësishme që përdoruesit e skuterave të respektojnë rregullat e sigurisë rrugore dhe të përdorin kaska mbrojtëse.

“Apeli ynë është për prindërit e përdoruesve të këtyre mjeteve që të kufizojnë përdorimin në orët me ndriçim të kufizuar ose të përdorin jelek fluorescent, ose kaskën mbrojtëse dhe të zbatojnë rregullat e kodit rrugor”, tha Çaçellari.

Sipas specialistëve, duhet edukim, parandalim dhe masa konkrete për t’i bërë rrugët më të sigurta si dhe për të reduktuar numrin e aksidenteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA