KE: Gratë në BE ende paguhen 13% më pak se burrat

14/11/2023 22:48

Edhe pse BE-ja e ka në fuqi ligjin e pagës së barabartë, gratë në vendet e bllokut paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat të cilët e bëjnë të njëjtën punë, e pohuar kjo nga Komisioni Europian.

“Pagë e barabartë për të njëjtën punë, apo për punë të të njëjtës vlerë, ky është një nga nga parimet thelbësore të BE-së. U vendos në Traktatin e Romës më 1957”, theksohet në deklaratën për shtyp të Komisionit.

KE-ja pranoi megjithatë, se avancimi në eliminimin e hendekut gjinor në paga ka ngecur dhe ka qenë i ngadaltë në vitet e fundit. Për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi, Komisioni Europian ka krijuar një Direktivë për Transparencë në Pagesë, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.

Direktiva, një ligj i BE-së, vendos për kornizën se si të aplikohet ideja e “punës së vlerës së njëjtë” dhe kriteret krahasore të cilat përfshijnë aftësitë, përpjekjet, përgjegjësitë dhe kushtet e punës. Qëllimi i saj është të ndihmojë punëtorët ta dallojnë diskriminimin në pagë dhe ta sfidojnë atë. Megjithatë, kjo direktivë ende nuk është bërë ligj në 27 vendet e BE-së, të cilat i kanë tre vjet kohë për ta bërë këtë.

Top Channel