“Këtu nuk kemi zëra të bebeve që qajnë. Janë të rrallë zërat. Por, kur i dëgjojmë, gëzohemi”, thotë një infermiere, teksa shikimin e mban nga një foshnje e porsalindur, e vendosur në inkubator.

Në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është i ndarë reparti intensiv, ku trajtohen foshnjat që lindin para kohe, ose me probleme shëndetësore, ose me peshë të vogël, 1-2 kilogramë apo edhe më pak.

Ato shtrohen aty menjëherë pas lindjes, pasi u duhet kujdes i specializuar.

Për disa ditë apo javë, shtëpia e tyre bëhen inkubatorët, që janë shtretër të vegjël, të mbyllur me xham, por me vrima anash, nga ku foshnjat marrin trajtimin.

Të rrahurat e zemrës së tyre, ritmi i frymëmarrjes, presioni i gjakut dhe temperatura u monitorohen 24 orë nga stafi profesionist, i cili me mburrje pohon se nga viti në vit, numri i të vegjëlve që mbijetojnë, është në rritje.

Për dallim nga fundi i viteve ’90, kur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka arritur në mbi 30 promil – që do të thotë në 1 mijë foshnja të lindura, mbi 30 kanë vdekur – kjo shifër sot është së paku përgjysmë më e vogël.

Drejtoresha e Neonatologjisë në QKUK, Hajrije Ismaili, thotë se klinika që udhëheq, është qendër referente për të gjitha spitalet rajonale dhe ato private.

“Të gjitha ato foshnja, të cilat janë në gjendje kritike, trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë. Nëse ndodh që përfundimi është me fatalitet, atëherë vdekshmëria ndodh pikërisht në klinikën tonë”, thotë Ismaili për Radion Evropa e Lirë.

Doktoresha Ismaili shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i stafit në hap me zhvillimet e kohës.

Investimet në aparaturë moderne kanë ndikuar po ashtu.

Në dhomën që mban numrin 6, kjo mjeke sigurohet që foshnja në inkubator, merr trajtimin që i nevojitet.

Në dhomën që mban numrin 6, kjo mjeke sigurohet që foshnja në inkubator, merr trajtimin që i nevojitet.

Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se bota ka bërë përparim të rëndësishëm në mbijetesën e fëmijëve.

Në një raport që mbulon një periudhë 30-vjeçare thuhet se, globalisht, numri i vdekjeve neonatale ka rënë nga 5 milionë në vitin 1990, në 2.4 milionë në vitin 2020.

Rezultatin edhe OBSH-ja ua atribuon shërbimeve më cilësore për të porsalindurit.

Nën kujdes intensiv në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë është edhe kjo foshnje me peshë të vogël.

Nën kujdes intensiv në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë është edhe kjo foshnje me peshë të vogël.

Reparti i kujdesit intensiv në QKUK është i ndarë në disa njësi, që përfshijnë ato për fëmijët e lindur para kohe, për fëmijët e lindur me anomali, për fëmijët që vijnë nga spitalet rajonale dhe klinikat private, për rastet post-operative e të tjera.

Secilën prej tyre, stafi e ka nën mbikëqyrje të pandërprerë.

Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të gjendjes, lëshohen alarmet.

Nga kjo dhomë, personeli monitoron vazhdimisht gjendjen e foshnjave.

Nga kjo dhomë, personeli monitoron vazhdimisht gjendjen e foshnjave.

Stafi kujdeset që t’i informojë familjarët rregullisht për gjendjen e më të vegjëlve të tyre.

Ata nuk lejohen të futen brenda, përveç në rastet kur nënat duhet t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri.

Kriteret e higjienës janë të larta, për ta mbajtur repartin sa më pastër që është e mundur, në mënyrë që bebet të mos ekspozohen ndaj mikrobeve.

Një nënë i mban dorën foshnjës së saj në inkubator.

Një nënë i mban dorën foshnjës së saj në inkubator.

Në Raportin e progresit, që u shkrua nga Komisioni Evropian dhe u publikua javën e kaluar, thuhet se vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë është problem serioz, pasi 16 prej 1.000 prej tyre vdesin para se t’i mbushin 5 vjet.

Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Si shkaktare të vdekjeve përmenden sëmundjet jongjitëse.

Raporti veçoi edhe vdekjen e foshnjave, por nuk kishte të dhëna për periudhën nga viti 2019 e këndej.

Sipas raportit, cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përgjithësisht, mbetet shqetësuese, ndërsa përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik, është e ulët.

REL ka raportuar disa herë për sfidat që hasen në disa klinika të QKUK-së, nisur nga mungesa e sapunëve dhe pritjet e gjata për shërbime e deri te kriza për gjak dhe largimi i mjekëve.

Në kujdesin intensiv të Neonatologjisë, nga personeli thonë se përpiqen të mbajnë çdo gjë nën kontroll.

Kjo infermiere përcjell gjendjen e foshnjave përmes monitorit.

Kjo infermiere përcjell gjendjen e foshnjave përmes monitorit.

Përveç zhurmave që lëshojnë aparatet dhe monitorët, aty rrallë dëgjohen zëra të tjerë. Infermierët dhe mjekët kujdesen në heshtje për foshnjat dhe çdo rezultat i mirë u reflektohet me buzëqeshje në fytyrë.

Dy infermiere në kujdesin intensiv të Nenonatologjisë në QKUK.

Dy infermiere në kujdesin intensiv të Nenonatologjisë në QKUK.

Top Channel