Korrupsioni në Shëndetësi/ SPAK kërkon 4 vite burg për Joana Duron, heqje lirie edhe për katër të akuzuarit e tjerë

13/11/2023 12:35

Për ish-numrin dy të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 4 vite heqje lirie nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Për specialisten e nivelit të lartë, Laura Shteto, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burgim.

Vladimir Topi, administratori i kompanisë “Dricons” rrezikon 2 vjet burgim, nëse gjykata merr parasysh kërkesën e prokurorit, Dritan Prençi. Ndërsa për inxhinierin, Silvi Shehi, organi i posaçëm i akuzës ka kërkuar  1 vit e 6 muaj burgim.

Të tre të pandehurit akuzohen për korrupsion aktiv.

Sipas SPAK, ata i dhanë Laura Shtetos 330 mijë lekë për të përfituar tenderin e supervizimit të disa qendrave shëndetësore në Tiranë e Durrës.

Ish-sekretarja dhe punonjësja e Ministrisë së Shëndetësisë u arrestuan për të njëjtën vepër penale. Joana Duro, e cila kishte një vit që e mbante këtë post, u gjurmua nga SPAK pasi iu paguan 330 mijë lekë për favorizim në një tender ku garonin tetë kompani.

Shuma sipas versionit zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, iu pagua sekretares së përgjithshme nga Laureta Shteto, me detyrë specialiste e nivelit të lartë të Agjencisë së Shërbimeve Publike të Integruara.

Pas arrestimit të tyre, SPAK arrestoi edhe administratorin dhe inxhinierin e firmës “Dricons” të cilët kishin paguar 330 mijë lek ryshfet me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Duro dhe Shteto i kanë mohuar akuzat ndaj tyre, ndërkohë që sipas SPAK, nga audio përgjimet për ryshfetin e marrë nga zyrtarja e lartë, rezultojnë të dhëna për dyshime për abuzime me fondet shtetërore, ku punonjës me funksione shtetërore përcaktonin fituesit e tenderave kundrejt përfitimeve monetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA