Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka lajmëruar se është ngritur një Task Forcë për arsimin parashkollor që do të monitorojë kopshtet dhe një reformë e re në arsimin parauniversitarm që do të nisë zbatimin e menjëhershëm.
Në një konferencë për shtyp, nisur nga ngjarja e dhunës së një 3-vjeçareje nga edukatorja në një kopsht privat të palicencuar, Manastirliu tha se reforma e re e arsimit parashkollor do të ketë zero tolerancë për dhunën.
Ministrja tha se janë konstatuar 8 kopshte pa licencë si dhe dy kopshte që i është refuzuar licencimi. Raste të tilla tha Manastiliu, do të gjobiten nga 500 mijë deri në 1 mln lekë si dhe do të pezullohet aktivitetit, edhe në rast se nuk përmbushin kriteret.
Reforma e re përfshin edhe kornizë të re vlerësimi për edukatoret, ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e prindërve për të rritur sigurinë dhe cilësinë për kopshte dhe çerdhe.
“8 subjekte jopublike, rezultojnë të mos kenë aplikuar për licencë, dy prej tyre i është refuzuar licencimi. Në përfundim do merren masat përkatëse, 13 subjekte jopublike ushtrojnë veprimtari në statusin ditor. Pra nuk rezultojnë të jenë me licencë për kopsht. Për hir të transparencës Ministria e Arsimit, ka publikuar listën e kopshteve të licencuara dhe kjo listë është në përditësim e sipër. Kopshtet duhet të marrin masat të pajisen me dokumentin e licencës. Në rast të mos pajisjes do të vijohet me gjobë deri në 1 mln lekë të reja dhe ndërprerje e menjëhershme e aktivitetet.
Ministria e Arsimit monitoron zbatimin e standardeve në shkollat publike dhe jo publike. Po bashkëpunojmë më të gjitha bashkitë dhe institucionet. Tolerancë zero ndaj çdo forme dhune, do të monitorohen rreptësisht standardet që janë vendosur. Ende ka problematika që do duhen të adresohen. Në krye të listës do të jetë reforma e arsimit parashkollor.
Rishikimin e plotë të paketës ligjore, përgjegjësi të reja në çerdhe dhe kopshte. Standarde të reja në parashkollor në fokus rishikimin e kurrikulës. Një kornizë e re e vlerësimit të cilësisë me standarde të reja për punësimin e edukatoreve. Puna do të fillojë menjëherë dhe qytetarët do të informohen. Fenomene të tilla si ai që ndodhi pak ditë më parë janë të dhimbshme, por mund t’i luftojmë duke ndërvepruar të gjithë së bashku. Bashkëpunimi i prindërve edukatorëve është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e fëmijëve.”-tha Ministrja e Arsimit.
Top Channel