Rrënimi i Urës së Matit dhe mungesa e reagimit nga institucionet ka bërë që këtë të diel aktivistët e shoqërisë civile që e kanë ndjekur këtë kauzë prej afro 4 vitesh të dalin në një reagim.

Ato shprehen se kërkojnë ndërhyrjen emergjente për shpëtimin e kësaj trashëgimie, ashtu siç u premtua nga Kryeministri në muajin shkurt, pas vizitës që Europa Nostra dhe Banka Europiane e Investimeve bënë në Shqipëri.

Për aktivistët kjo është një kauzë që nuk cenon vetëm kurbinasit por historinë e trashëgimisë dhe identitetin kombëtar.

“Do të qëndrojmë të vendosur për ndjekjen e kësaj kauze e do të shkojmë deri në kallëzime penale për çdo drejtues institucioni që ka nën përgjegjësi Urën e Matit”, thanë ata.

“Organizata Sebastia për të disatën here reagon për mbrojtjen e Urës së Matit, pasi nuk kanë mjaftuar të gjitha thirrjet e mëparshme prej janarit të vitit 2021 me hartimin e peticionit, i cili u nënshkrua nga 3054 qytetarë, 3 protesta, dhjetëra kërkesa për informacion drejtuar institucioneve përgjegjëse dhe përfshirjen e saj në programin 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë nga Europa Nosta.
Për t’i dhënë vëmendjen që kjo trashëgimi meriton kemi organizuar disa aktivitete kulturore. Më 14 shkurt 2023 Kryeministri Rama publikoi projektin për ndërhyrjen emergjente në strukturën e dëmtuar të kësaj ure, duke u shprehur se ky projekt do të financohej dhe zbatohej brenda këtij viti. Përgjatë këtyre 8 muajve pritje, i jemi drejtuar disa here me kërkesa për informacion Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të trashëgimisë kulturore të cilat vazhdimisht përgjigjen se janë në proces tenderimi, por nuk na kanë bëre me dije afatet e tenderimit dhe kur fillon ndërhyrja. Me fillimin e reshjeve kjo ndërhyrje bëhet më e vështirë dhe Ura e Zogut është më e rrezikuar se kurrë.
Sot jemi me të njëjtat kërkesa. Kur mbyllen afatet e tenderimit? Kur fillon puna për zbatimin e projektit? Mbetemi të vendosur për ta ndjekur deri në fund këtë kauzë që nuk cenon vetëm kurbinasit por historinë, trashëgiminë dhe identitetin kombëtar“, thekson aktivistja.

Top Channel