Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg njëri prej figurave kryesore të vendit në kohën pas komunizmit ka ndërruar jetë sot në moshën 85-vjeçare, sipas zyrtarëve çekë.
Schwarzenberg, në atë kohë ministër i Jashtëm deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së.
“Besoj se në radhë është Kroacia dhe pastaj ne duhet të përfshijmë hap pas hapi gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai në një intervistë për mediat gjermane në vitin 2009.
Schwarzenberg ka mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se të shpallej në shkurt të vitit 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu në maj të po këtij viti.
Schwarzenberg ka shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Çekisë mes viteve 2007 dhe 2013 dhe në Kosovë shihej si mik i vendit.
Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schwarzenberg tha se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.
Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai tregoi vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.
“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, tha ai më 19 shkurt të vitit 2008.
Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.
“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, tha Schwarzenberg.
Më 2019, ish-presidenti çek Millos Zeman shqyrtoi mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por u kundërshtua nga Schwarzenberg.
“Nëse një shtet njihet, ne nuk mund të themi më se nuk ekziston”, tha Schwarzenberg për iDnes atë vit.
Top Channel