Gjykata e Tiranës ka liruar 30-vjeçaren e cila u arrestua për braktisjen e foshnjës së saj të sapolindur në një bodrum në zonën e Yzberishit.
Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Avokati i saj ka kërkuar kryerjen e një akt ekspertimi psikik, për të vlerësuar gjendjen mendore të saj.
Gruaja para togave të zeza u shpreh se fëmija ishte fryt i një marrëdhënie të prishur ndaj nuk mund të kujdesej e vetme për foshnjën.
Top Channel mëson se 30-vjeçarja me origjinë nga Pogradeci nuk ishte e martuar dhe jetonte me prindërit. Ajo nuk e kishte ndjekur shtatzëninë me asnjë mjek dhe lindjen e kreu në bodrumin ku u gjet fëmija nga banorët e zonës të cilët njoftuan policinë. Vajza ishte larguar disa blloqe pallatesh nga banesa e saj për të kryer lindjen dhe në pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia shfaqet e vetme.
Të birin menjëherë pas lindjes dhe pa i prerë kordonin umbelikal ajo e hodhi të zhveshur në papastërtitë e garazhit të lëna pas reshjeve të shumta që ndodhen mëngjesin e së mërkurës. Në momentin e mbërritjes në reanimacion mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes së fëmijës dëmtime të cilat i sollën dhe vdekjen.
Top Channel