Izraelitët ndihen të sigurt në Kosovë në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024

11/11/2023 18:56

Ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i sigurt dhe i rehatshëm në Kosovë, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës të dielën në Prishtinë.

Trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni Eli Dasa falënderuan të shtunën Kosovën për mirëpritjen, pasi mbërritën në kryeqytetin kosovar të premten nën masa të rrepta të sigurisë.

Izraeli do të përballet me Kosovën, vend me shumicë myslimane, në atë që është ndeshja e parë e kombëtares izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë nëse kjo ndeshje është barrë për ta, Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.

“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.

Kosova i rriti masat e sigurisë për këtë ndeshje dhe Hazan tha se ndihet “krenar” që ndodhet në Kosovë dhe se “uron që populli ynë dhe populli juaj do të jetojnë në paqe në të ardhmen”.

“Ne ndihemi të sigurt këtu dhe duam ta jemi mirënjohës për gjithçka që na kanë dhënë Qeveria dhe të gjithë njerëzit në Kosovë për mikpritjen”, tha Hazan, por bëri thirrje që njerëzit e Kosovës dhe të Izraelit të përqendrohen vetëm në futboll.

Kapiteni Dasa tha se ndihet “rehatshëm” në Kosovë dhe se “por, po ashtu, ne nuk frikësohemi, ne jemi njerëz të Izraelit dhe jemi këtu për ta përfaqësuar vendin tonë.”

Kapiteni i Kosovës: Fishkëllimat dhe protestat ndodhin gjithkund

Kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqi, tha se nuk është në dorën e lojtarëve t’i ndalin fishkëllimat dhe protestat e tifozëve në stadium, me të cilat futbollistët e Izraelit mund të përballen gjatë ndeshjes së tyre kundër verdhekaltërve.

Rreth 1.200 njerëz u vranë në Izrael nga sulmet e militantëve të Hamasit, sipas zyrtarëve izraelitë, ndërsa mbi 10.000 palestinezë u vranë në Gazë nga bombardimet hakmarrëse izraelite gjatë luftës tashmë njëmujore, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

I pyetur nëse pret që futbollistët izraelitë të fishkëllehen nga tifozët kosovarë në Stadiumin Fadil Vokrri për shkak të luftës së vendit të tyre në Rripin e Gazës, Muriqi ngurroi të flasë por tha se “është diçka që ndodh”.

“Për Izraelin është lojë e veçantë, por nuk dua të flasë jashtë fushës. Fishkëllimat ka në të gjitha stadiumet dhe fishkëllimat dhe protestat ne nuk mund t’i ndalim, kështu që, ne brenda fushës do të mundohemi të luajmë futboll, sa i përket tifozëve jashtë fushës, secili e ka përgjegjësinë e vet, prandaj nuk jam i interesuar për këtë punë personalisht”, tha Muriqi.
Stadiumi Fadil Vokrri zë rreth 14.000 tifozë.

Muriqi, sulmuesi i Mallorcas në kampionatin spanjoll Laliga, do të jetë kapiten i Kosovës kundër Izraelit në mungesë të kapitenit të parë, Amir Rrahmani, të cilin s’e liroi klubi i vet, kampioni italian Napoli, për këtë ndeshje.

Të shtunën më herët, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.

Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij. Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.

Edhe të shtunën kishte kontrolle të rrepta të sigurisë në hyrje të stadiumit dhe brenda tij nga zyrtarët e sigurisë.

Top Channel