Banorët e Lumit Vlorë në protestë, janë kundër ndërtimit të ujësjellësit që i çon ujë Bashkisë së Himarës

11/11/2023 11:42

Banorë të fshatrave që i përshkon Lumi Shushica ose siç quhet nga banorët Lumi i Vlorës, kanë protestuar ditën e sotme duke bllokuar dhe rrugën në afërsi të fshatit Drashovicë për ujësjellësin, i cili po ndërtohet në burimin e lumit Shushicë, për t’i çuar ujë bashkisë së Himarës.

Banorët e rreth 30 fshatrave që përshkon ky lumë kanë protestuar për këtë projekt i cili sipas tyre do të prishë gjithë florën dhe faunën që ka krijuar në shekuj ky lum, por dhe turizmin që ofron lumi Shushica.

Ata kanë kërkuar nga qeveria që të anulojnë sa më shpejt këtë projekt i cili është në kundërshtim me të gjitha të drejtat e banorëve të këtyre fshatrave. Ata bllokuan dhe rrugën dhe në vijimësi do përshkallëzojnë dhe protestën.

“Ndal projekteve tinzare dhe grabitqare të devijimit të lumit që në burim në Lëpushën e famshme të Kuçit duke e çuar atë në resortet e Himarës. Askush nuk është pyetur sipas ligjit nga banorët e 30 fshatrave. Askush nuk ka bërë studime dhe askush nuk na ka treguar për efektet negative që sjell devijimi i ujit në jetën e sotme dhe në perspektivën për të ardhmen e kësaj krahine. Është për të ardhur keq që ne banorët e Lumit të Vlorës, që e kemi lidhur jetën tonë me këtë vend të mrekullueshëm e që kemi dërguar peticione me firma e vula institucioneve shtetërore, jemi injoruar dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, shprehet një banor.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta