Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk e ka elaboruar deklaratën e tij të bërë gjatë kësaj jave se Izraeli do të mbajë, për një periudhë të pacaktuar, “përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme” në Gaza, pasi të largojë nga pushteti Hamasin.

Përvoja sugjeron se çdo rol izraelit në siguri do të shihet nga palestinezët dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar si një formë e pushtimit ushtarak. Kjo mund të ndërlikojë çdo plan që përgjegjësia qeverisëse t’i dorëzohet Autoritetit Palestinez ose shteteve mike arabe dhe rrezikon ta zhysë Izraelin në një luftë rraskapitëse.

Edhe nëse Izraeli ka sukses që t’i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Gazë dhe të shkatërrojë shumicën e infrastrukturës së militantëve, prania e forcave izraelite ka të ngjarë që të nxisë një kryengritje, ashtu siç ndodhi nga viti 1967 deri më 2005. Në atë periudhë pa dy kryengritje palestineze dhe ngritjen e Hamasit.

Benny Gantz, anëtari i Kabinetit të Luftës së Izraelit – që përbëhet nga tre anëtarë – pranoi të mërkurën se ende nuk ka një plan afatgjatë për Gazën. Ai tha se çdo plan duhet të adresojë nevojat e sigurisë së Izraelit.

“Ne mund të dalim me çdo mekanizëm që mendojmë se është i përshtatshëm, por Hamasi nuk do të jetë pjesë e tij”, u tha ai gazetarëve. “Ne duhet të zëvendësojmë regjimin e Hamasit dhe të kemi epërsi të sigurisë për ne”.

Në këtë tekst mund të mësoni se si do të mund të dukej roli i sigurisë së Izraelit dhe çfarë kundërshtimi do të mund të gjeneronte.

Pushtim i drejtpërdrejtë

Në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, Izraeli pushtoi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, territore që palestinezët duan për shtetin e tyre në të ardhmen. Izraeli aneksoi Jerusalemin lindor, shtëpi e Qytetit të Vjetër dhe ku gjenden objekte fetare – një lëvizje që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar – dhe e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytet të tij.

Ushtria qeverisi drejtpërdrejtë me Bregun Perëndimor dhe Gazën për dekada, duke ua mohuar të drejtat themelore miliona palestinezëve. Ushtarët ngritën pika kontrolli dhe kryen arrestime të rregullta dhe bastisje që shënjestronin militantët dhe palestinezët e tjerë që kundërshtonin sundimin izraelit.

Izraeli po ashtu ndërtoi vendbanime hebreje në të tri zonat. Palestinezët dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsiderojnë të paligjshme këto vendbanime.

Pas dy dekadash të sundimit ushtarak, palestinezët u ngritën në intifadën e parë, apo kryengritjen, në fund të viteve ’80. Kjo periudhë përkon edhe me shfaqjen e Hamasit si një lëvizje politike me një krah të armatosur, duke sfiduar udhëheqjen e kauzës kombëtare nga Organizata laike për Çlirimin e Palestinës.

Modeli i Bregut Perëndimor

Marrëveshjet e përkohshme të paqes në mesin e viteve ’90 të njohura si Marrëveshja e Oslos themeluan Autoritetin Palestinez si një qeveri autonome në Bregun Perëndimor dhe Gazë që synonte të udhëhiqte rrugën drejt një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

Disa nisma për paqe të udhëhequra nga presidentët amerikanë dështuan. Autoriteti Palestinez humbin kontrollin e Gazës më 2007 dhe kontrollin e mori Hamasi.

Humbja e kontrollit të Gazës bëri që Autoriteti Palestinez të jetë përgjegjës për rreth 40 për qind të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli. Fuqitë e Autoritetit Palestinez gjerësisht janë administrative, edhe pse ka forcë policore. Izraeli ka kontroll të sigurisë së përgjithshme.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, është jashtëzakonisht jopopullor. Kjo në masë të madhe për shkak se forcat e tij bashkëpunojnë me Izraelin për sigurinë, edhe pse shpresat palestineze për shtet janë zhdukur. Shumë palestinezë e shohin Autoritetin Palestinez si një bashkëpunëtor të pushtimit.

Izraeli mban dhjetëra mijëra ushtarë të dislokuar në mbarë Bregun Perëndimor. Ata ofrojnë siguri për mbi 500.000 kolonë hebrenj dhe kryejnë bastisje dhe arrestime gjatë natës, që shpesh shkaktojnë përleshje vdekjeprurëse me militantët.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka sugjeruar se Autoriteti Palestinez mund të rikthehet në Gazë pas luftës. Kjo do të mund të dëmtonte edhe më tej legjitimitetin e Abbasit te populli i tij, nëse nuk lidhet kthimi i Autoritetit Palestinez në Gazë me hapa konkretë drejt shtetësisë palestineze.

Liderët arabë, madje edhe ata që kanë lidhje të ngushta me Izraelin, me gjasë do të përballeshin me reagime të ashpra nëse e ndihmonin Autoritetin Palestinez që të marrë kontrollin e Gazës.

Modeli i Gazës

Po një prani tjetër, me palestinezë të moderuar që do të mbanin sigurinë brenda Gazës dhe me Izraelin që do të ndërhynte vetëm kur ta gjykonte si absolutisht të nevojshme?

Edhe ky skenar është provuar.

Në vitin 2005, në nisjen e kryengritjes së dytë shumë më të dhunshme, Izraeli tërhoqi ushtarët dhe mbi 8.000 kolonë nga Gaza. Autoriteti Palestinez administroi territorin, por Izraeli vazhdoi të kishte kontrollin e hapësirës ajrore, të bregdetit dhe të gjitha pikëkalimeve – përjashtuar një pikëkalimi – në Rripin e Gazës.

Një vit më vonë, Hamasi fitoi zgjedhjet palestineze, duke shkaktuar një bojkot ndërkombëtar dhe një krizë të rëndë financiare. Trazirat për muaj të tëra kulmuan në qershorin e vitit 2007, kur Hamasi dëboi forcat besnike të Abbasit pas një beteje njëjavore.

Izraeli dhe Egjipti vendosën një bllokadë në Gazë, duke kufizuar ashpër tregtinë dhe udhëtimet në atë që Izraeli tha se ishte përpjekje për të frenuar Hamasin. Palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut thanë se bllokada është një formë e ndëshkimit kolektiv. Bllokada shkaktoi mjerim të gjerë në mesin e 2.3 milionë baronëve të enklavës.

Izraeli, sikurse shumica e shteteve perëndimore, e konsideron Hamasin organizatë terroriste. Hamasi kurrë nuk e ka pranuar ekzistencën e Izraelit dhe është zotuar për shkatërrimin e tij përmes luftës së armatosur.

Por, gjatë 16 vjetëve – kur u zhvilluan katër luftëra – Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje të ndryshme armëpushimi, të padeklaruara, përmes së cilave Izraeli lehtësoi bllokadën në këmbim që Hamasi të ndalonte sulmet me raketa dhe të frenonte grupet e tjera të armatosura që janë më radikale.

Për Izraelin, kjo marrëveshje nuk ishte ideale, por ishte e më e preferueshme sesa opsionet e tjera dhe këto armëpushime sollën relativisht qetësi për disa vjet.

Modeli i Libanit

Më 1979 dhe më pas më 1982, Izraeli pushtoi jugun e Libanit gjatë betejave kundër militantëve palestinezë.

Kjo çoi në një pushtim 18-vjeçar që u zbatua përmes aleatit lokal, Ushtrisë së Libanit Jugor, që pranoi armë dhe trajnime nga Izraeli.

Më 1982, grupi militant libanez, Hezbollah, u formua me mbështetjen e Iranit dhe me synimin që të dëbojë forcat izraelite nga shteti. Ky grup kreu sulme si ndaj Ushtrisë së Libanit Jugor, ashtu edhe ndaj trupave izraelit, dhe këto sulme bënë që përfundimisht Izraeli të tërhiqej në vitin 2000.

Shumë shpejt, Ushtria e Libanit Jugor kolapsoi, duke krijuar vakum që u mbush nga Hezbollahu. Më 2006, ky grup zhvilloi një luftë njëmujore me Izraelin.

Sot, Hezbollahu është forca më e fuqishme në Liban. Vlerësohet se grupi ka 1500.000 raketa dhe predha dhe konsiderohet një kërcënim i madh nga Izraeli.

Një mënyrë tjetër?

Izraeli ka dërguar mesazhe të përziera lidhur me planet që po harton për Gazën.
Liderët kanë thënë se ata nuk duan ta ripushtojnë Gazën. Ata kanë thënë se trupat kanë nevojë për liri që të operojnë brenda Gazës pasi të kenë përfunduar luftimet e ashpra.

“Sa i përket pyetjes lidhur me kohëzgjatjen e operacionit – nuk ka kufizime”, tha Gantz të mërkurën.

Kjo mund të nënkuptojë se trupat mund të lihen të stacionuara brenda territorit apo përgjatë kufirit.

Disa zyrtarë kanë diskutuar për një zonë të ndalimit, që do të mbante palestinezët larg kufirit. Të tjerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë bërë thirrje për rikthimin e Autoritetit Palestinez.

Gantz po ashtu sugjeroi se çdo marrëveshje e ardhshme për Gazën do të kushtëzohet nga qetësimi i situatës në frontin verior të Izraelit me Hezbollahun dhe në Bregun Perëndimor, ku trupat luftojnë rregullisht me militantët palestinezë.

“Pasi zona e Gazës të jetë e sigurt, dhe zona veriore të jetë e sigurt, dhe rajoni i Judesë dhe Samarisë të qetësohet, ne do të ulemi dhe do të shqyrtojmë një mekanizëm alternativ për Gazën”, tha Gantz, duke përdorur termin biblik për Bregun Perëndimor. “Unë nuk e di se çfarë [ky mekanizëm] do të jetë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA