LIVE/ Lufta në Iran, zgjerohet konflikti: Izraeli godet Libanin, raketa të regjimit mbi Dubai dhe Doha, dy dronë drejt Qipros. Tre avionë amerikanë goditen gabimisht nga Kuvajti
Më shumë se 100 punonjës të Kombeve të Bashkuara janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, tha të premten agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Ky konflikt ka shkaktuar numrin më të lartë të vdekjeve të punonjësve të OKB-së, në një kohë kaq të shkurtër.
Disa u vranë ndërsa prisnin në radhë për bukë; të tjerët vdiqën së bashku me familjet në shtëpitë e tyre, i tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë agjencisë së lajmeve Reuters.
“Ndihem i dëshpëruar. U konfirmua se mbi 100 kolegë të agjencisë janë vrarë në 1 muaj. Prindër, mësues, infermierë, mjekë, staf mbështetës. Agjencia është në zi, palestinezët në zi, izraelitët në zi”, tha Philippe Lazzarini në platformën e mediave sociale X. Agjencia tha më vonë se ishin vrarë 101 punonjës.
“Ata dëshmojnë atë që po ndodh me popullin e Gazës. Ata punojnë për OKB-në”, tha Juliette Touma, Drejtore e Komunikimeve në agjencinë UNRWA. “Ata dhe çdo civil tjetër në Rripin e Gazës… nuk duhet të vriteshin kurrë”.
Punonjësit e OKB-së në mbarë botën do të mbajë një minutë heshtje dhe flamujt do të ulen në gjysmështizë të hënën, tha organi global.
Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve në Gaza, duke thënë se Hamasi e përdor popullsinë si mburojë njerëzore dhe fsheh armë dhe pajisje përreth spitaleve, objekte që janë goditur gjatë sulmeve.
Përveç Gazës, konflikti tjetër më vdekjeprurës për punonjësit e ndihmës së OKB-së ishte ai në Nigeri, në vitin 2011, kur një vetëvrasës sulmoi zyrën e saj në Abuja, duke vrarë 46 punonjës.
Konflikti i vazhdueshëm i Sudanit të Jugut la të vrarë 33 punonjës të OKB-së dhe 33 të tjerë u vranë në Afganistan në vitin 2009 ndërsa trupat amerikane luftuan kundër talebanëve, sipas të dhënave të “Aid Worker Security Database”, një platformë e financuar nga Shtetet e Bashkuara që harton raporte mbi incidentet e mëdha të sigurisë që prekin punonjësit e ndihmave.
Sipas të dhënave, në Gazë janë vrarë edhe shtatë punonjës të tjerë, jo të OKB-së.
E themeluar në vitin 1949, pas luftës së parë arabo-izraelite, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA ofron shërbime publike, përfshirë shkollat, kujdesin shëndetësor dhe ndihmën ushqimore. Shumë nga 5000 punonjësit e UNRWA-s që punojnë në Gazë janë refugjatë palestinezë.
Rregullat për punonjësit e OKB-së, parashikojnë kompensim në rast vdekjeje, përfshirë disa kosto funerali dhe një pagesë vjetore për familjet.
Por agjencia UNRWA, e cila kishte probleme financiare edhe para krizës aktuale, thotë se nuk është e sigurt as nëse mund t’i përballojë pagat për punonjësit deri në fund të vitit.
Top Channel