Eksperti i njohur i migracionit, Ruud Koopmans, analizoi për DW sfidat dhe përparësitë e marrëveshjes Rama-Meloni.
“Janë bërë disa përpjekje deri tani: një përpjekje me Tunizinë nuk funksionoi. Prandaj, Italia u largua. Danimarka dhe Britania e Madhe gjithashtu donin të provonin diçka të ngjashme në Ruandë. Nëse kjo marrëveshje zbatohet, do të ishte hera e parë që një ide e tillë vihet në jetë”, thotë ai.
Etiketimin nga opozita italiane si Guantanamo, ai e cilëson një retorikë të ekzagjeruar.
“Në Shqipëri janë planifikuar të bëhen procedurat e azilit. Personat që njihen marrin mbrojtje në Shqipëri apo Itali dhe nuk burgosen. Ata që refuzohen duhet të kthehen në vendet e tyre. Megjithatë, kjo nuk është e lehtë në praktikë pasi vendet e origjinës shpesh nuk bashkëpunojnë dhe dokumentet mungojnë. Ky është një problem me të cilin do të përballet edhe Shqipëria. Por nëse njerëzit e dinë se do të duhet të presin në Shqipëri nëse refuzohen, bëhet më pak tërheqëse për ta që të paguajnë para të madhe për kontrabandistët”, arsyeton Koopmans.
“Dallimi kryesor midis Ganës, Ruandës dhe Shqipërisë është se azilkërkuesit e refuzuar në Shqipëri mund të përpiqen ende të udhëtojnë në Gjermani. Kur njerëzit çohen në Gana ose Ruanda, është e qartë se ata nuk mund të kthehen lehtësisht në Evropë. Prandaj, Shqipëria do të duhet të kërkojë mbështetje nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Ndoshta nuk ka nevojë të përfshihen të gjitha vendet, por do të ishte e rëndësishme që së paku të përfshihen Sllovenia, Kroacia dhe Austria, pasi ato janë vendet e para ku mbërrijnë ata që dëshirojnë të udhëtojnë më tej”, shpjegon ai.
Reagimet në Gjermani ndaj marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët janë të ndara. Disa e shohin me skepticizëm zbatimin e saj, të tjerë janë euforikë dhe presin që të pasojnë marrëveshje të ngjashme me vende të tjera.
Top Channel