​Kurti kërkon nga Bosnja zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime

10/11/2023 11:56

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Paris zhvilloi një takim me kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zeljko Komsiç dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegonivës, Denis Beciroviç.

Sipas një komunikate të qeverisë, tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet dhe domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon.

“Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina. Kryeministri Kurti, kryetari Komsiç dhe anëtari i Presidencës, Beciroviç gjithashtu diskutuan rreth mundësive dhe potencialin për shtim të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë e të arsimit”, thuhet në njoftim.

Top Channel