Një mega-operacion i policisë italiane dhe Byrosë Federale amerikane të Hetimit kundër anëtarëve të dyshuar të mafies në Sicili e New York, ka shënjestruar familjen e fuqishme të krimit, Gambino, dhe bashkëpunëtorët e saj.

Policia italiane njoftoi zbatimin e urdhërarresteve për 17 të dyshuar, shtatë në rajonin e Sicilisë dhe dhjetë në New York. Akuzat që rëndojnë mbi personat e ndaluar i referohen krimeve të ndryshme që nisin nga lidhjet me mafien e organizatat kriminale e deri te zhvatja e manipulimi i ankandeve. Departamenti amerikan i Drejtësisë më vonë sqaroi se vetëm 16 prej personave në listë janë prangosur, ndërsa një i dyshuar në Itali është ende në arrati. Dhjetë anëtarët apo bashkëpunëtorët e dyshuar të familjes Gambino, të arrestuar në SHBA, akuzohen për zhvatje, shantazh, hakmarrje ndaj dëshmitarëve “dhe krime të lidhura me sindikatat”.

“Për vite të tëra të pandehurit kanë kryer shantazhe të dhunshme, sulme, zjarrvënie, kanë frikësuar dëshmitarët dhe kanë kryer krime të tjera duke tentuar që të dominojnë sektorin e depozitimit të mbeturinave dhe industrinë e demolimit në Nju Jork”, tha prokurori amerikan, Breon Peace.

Familja Gambino është një prej pesë familjeve të Cosa Nostras, mafisë siciliane, me seli në New York, sipas prokurorëve amerikanë. Familjet e tjera janë familja Gjenoveze, Lukeze, Kolombo dhe Bonano. Cosa Nostra mori famë duke frymëzuar deri edhe filma si Kumbari, edhe pse asaj i ka humbur fuqia, pasuria dhe ndikimi në botë, ndërkohë që në plan të parë tani ka dalë Ndrangeta, që vepron në rajonin jugor italian të Kalabrisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA