Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut: Hamasi dhe Izraeli kanë kryer krime lufte

09/11/2023 16:31

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk tha se edhe Hamasi edhe Izraeli kanë kryer krime lufte, ndërsa mijëra palestinezë u larguan nga jugu mes ofensivës në rritje të Izraelit kundër grupit militant islamik.

“Mizoritë e kryera nga grupet e armatosura palestineze më 7 tetor ishin të neveritshme, brutale dhe tronditëse, ato ishin krime lufte – siç është mbajtja e vazhdueshme e pengjeve”, thekson Türk.

“Dënimi kolektiv nga Izraeli i civilëve palestinezë përbën gjithashtu një krim lufte, siç bën edhe evakuimi i paligjshëm me forcë i civilëve”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Türk u kërkoi të dyja palëve të bien dakord për një armëpushim në funksion të dërgimit të ndihmës në Gaza, lirimin e pengjeve nga Hamasi dhe hapësirën politike të nevojshme për t’i dhënë një fund konfliktit sepse situata aktuale është më e rrezikshmja ndër dekada për sa kohë rreziku u kanoset jo vetëm njerëzve në Gaza, Izrael apo Bregun Perëndimor, por edhe atyre në rajon.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut komentoi mbi këtë situatë pasi vizitoi vendkalimin “Rafah” në kufirin Gaza-Egjipt, i cili cilësohet si i vetmi vendkalim kufitar që nuk kontrollohet nga Izraeli, i hapur javët e fundit për të lejuar hyrjen e kufizuar të ndihmave dhe daljen e shtetasve të huaj apo palestinezëve të plagosur rëndë nga Gaza.

Izraeli i shpalli luftë Hamasit më 7 tetor, si pasojë e sulmit terrorist ku mbetën të vrarë 1,400 njerëz në Izrael dhe rrëmbyen rreth 240 të tjerë, shifra këto të publikuara nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA