Në takimin e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, u diskutua mbi 2 sfida të ndërlidhura që ndikojnë thellësisht kombin tonë: Flukset migratore dhe fenomeni i ikjes së trurit.

“Duke iu referuar INSTAT-it, nga 2011-2019, pra në 8 vjet, 250 mijë shqiptarë kanë ikur dhe nuk janë kthyer”, shprehet gazetari Lutfi Dervishi.

Pra, nëse llogarisim rezulton se janë gati 100 shqiptarë të ikur në një ditë të vetme.

Jemi dëshmitarë të faktit dhe shifrat e konfirmojnë se Shqipëria është më shumë vend transit, sesa vend destinacioni. Në 2022 në territorin e Shqipërisë janë kapur 11,216 emigrantë të parregullt”, shprehet Lutfi Dervishi.

Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në Shqipëri, theksoi se sa e ndjeshme është në vendin e tij çështja e emigracionit.

“Pas dy javësh ne kemi zgjedhje në Holandë, dhe ju siguroj se emigrimi i ligjshëm dhe emigrimi i paligjshëm janë në krye të axhendës”, tha Reinout Vos, ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri

I ngarkuari me punë, i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri u ndal tek presioni që BE-ja po ushtron ndaj emigracionit të paligjshëm.

“Si rezultat i presionit, fluksi i emigrimit nëpërmjet rrugëve nga Ballkani Perëndimor është ulur me 25% në krahasim me vitin e kaluar”, u shpreh Andre Rizzo, i ngarkuari me punë, i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri

Në situata kaotike, sigurisht që përfituesit më të mëdhenj janë trafikantët.

“Emigranti duhet të paguajë nga 100-500 euro. Ndërkohë që 9000 Euro është shifra e përgjithshme që gjyqësori ka argumentuar nëpër vendimmarrjet e tij, për të arritur në destinacionin europian”, tha Ardita Kolmarku, juriste e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Zëvendësministri i Brendshëm ndërkohë, u ndal në dilemën se çfarë duhet bërë me qytetarët e vendeve të treta, që vijnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

“Mundësia e parë është që t’i mbajmë, t’i integrojmë, t’i japim mbrojtje ndërkombëtare, për shkak se ne kemi nevojë për fuqi punëtore, siç të gjithë e dimë. Mundësia e dytë është që t’i kthejmë, që këta të mos arrijnë në portat e shteteve të Bashkimit Europian”, tha Andi Mahila, zv.ministër i Brendshëm.

Top Channel