Debati i tretë i pretendentëve republikanë për president u mbajt të mërkurën në qytetin Majami të Floridës, me më pak kandidatë se në debatet e kaluara.
Kandidatët u përpoqën të veçonin veten nga njëri-tjetri si dhe nga pretendenti kryesor Donald Trump në disa çështje të politikës ndërkombëtare. I transmetuar në kanalin televiziv NBC, debati i tretë i kandidatëve republikanë për president u dominua nga çështje të politikës së jashtme.
Të pyetur për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit, mesazhi i kandidatëve ishte i qartë për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Përfundojeni punën një herë e mirë me këta kasapë të Hamasit. Ata janë terroristë. Ata masakrojnë njerëz të pafajshëm, kërkojnë të zhdukin çdo hebre nga faqja e dheut, nëse munden”, tha kandidati Ron DeSantis.
“Nuk mund të negociosh me të keqen. Ju duhet ta shkatërroni atë”, tha kandidati Tim Scott.
“Nuk do të kishte Hamas pa Iranin. Nuk do të kishte Hezbollah pa Iranin. Nuk do të kishte Houthi pa Iranin. Kush po e financon Iranin tani? Kina po blen naftë nga Irani. Rusia po merr dronë dhe raketa nga Irani, një aleancë e panatyrshme”, tha kandidatja Nikki Haley.
Secili nga pesë kandidatët që u kualifikuan për debatin e fundit kishte dyfishin e kohës për të folur sesa në debatet e kaluara. Kandidatët shprehën mendime të ndryshme në lidhje me Ukrainën.
“Nuk është një zgjedhje. Ky është çmimi që paguajmë për të qenë udhëheqës të botës së lirë”, tha kandidati Chris Christie.
“Ukraina nuk është shembull i përkryer i demokracisë. Ky vend ka ndaluar 11 parti opozitare. Ka konsoliduar të gjithë median në krahun e medias televizive shtetërore. Kjo nuk është demokratike”, tha kandidati Vivek Ramaswamy.
Ish-ambasadorja në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, reagoi ashpër.
“Ne e dimë se çfarë bëri banditi kur pushtoi Ukrainën. Të gjithë e dimë se gjysmë milion njerëz kanë vdekur për shkak të Putinit. Ukraina është një vend liridashës, pro-amerikan, që po lufton për mbijetesë dhe demokraci”.
Duke folur për futjen e fentanilit përmes kufirit jugor, zoti DeSantis tha se do të bënte më shumë nga sa premtoi Presidenti Trump gjatë mandatit të tij.
“Do të ndërtoj murin kufitar dhe do ta lë Meksikën të paguajë për të, siç premtoi Donald Trumpi. Do të vendosim tarifa për remitancat që punonjësit e huaj dërgojnë në vendet e tyre. Do të mbledhim miliarda dollarë dhe unë do ta ndërtoj murin”.
Por kandidati kryesor republikan nuk mori pjesë as në debatin e fundit. Ish-presidenti Trump mbajti një takim rreth 16 kilometra larg në Hialeah, me popullsi kryesisht hispanike. Jennifer Lawless, shefe e Departamentit të Politikës në Universitetin e Virxhinias, thotë se këta kandidatë nuk mund ta tejkalojnë kurrë Trumpin në sondazhe.
“Zoti Trump gëzon 50% të mbështetjes në shumë prej sondazheve dhe mbi 40% në shumicën e anketave të tjera. Asnjë kandidat nuk i afrohet madje as vendit të dytë. Por nëse ndodh diçka me Trumpin, nëse burgoset, ose detyrohet të largohet nga gara, për një sërë arsyesh ligjore, kushdo që është në vendin e dytë ka përparësi”.
Por hapësira për ta bërë këtë po ngushtohet. Votuesit do të zgjedhin presidentin e ri në më pak se një vit./VOA
Top Channel