Ambasadori amerikan në Prishtinë: Drafti i statutit të Asociacionit, në përputhje me kushtetueshmërinë e Kosovës

09/11/2023 10:43

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Jeff Hovenier ka dhënë qëndrimin e tij për kushtetutshmërinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai beson se drafti i prezantuar nga emisarët euro-amerikanë është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

“Më lejoni të ju kujtoj qëndrimin e SHBA për statutin e asociacionit, e kemi thënë që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet të kërkohet ndryshim i Kushtetutës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive, nuk do ketë qeverisje shtesë, duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që treguam në janar. Ne besojmë se ky draft që iu dërgua Qeverisë së Kosovës përmbush këto kritere dhe besojmë se është shkruar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”- tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Por, sipas tij, fjalën e fundit do ta thotë organi që ka kompetencë për këtë, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Në të vërtetë ka një entitet që mund të nxjerrë vendim nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe është Gjykata Kushtetuese dhe siç ka thënë kryeministri Kurti në Kuvend të premten, një nga pikat është që do të shkojë në Gjykatë që do ta vlerësojë dhe nxjerrë vendim para se të zbatohet”- tha Hovenier.

Derisa thotë se publiku mund ta shohë draftin në një kohë të përshtatshme, ambasadori amerikan përsëritë nevojën për urgjencë për të ecur përpara siç kanë kërkuar edhe liderët e Francës, Italisë e Gjermanisë.

“Ata përdorin gjuhë si “urgjente”, “sa më shpejtë të jetë e mundur”, pra ka një urgjencë, ka një dëshirë që të vazhdohet shpejt dhe kjo është pjesë e diskutimeve tona me Qeverinë, nuk ka arsye pse qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft statut, Kryeministri ka shprehur gatishmërinë e tij për të pranuar të gjithën, jemi duke punuar për ta bërë atë si pjesë të strategjisë tonë të gjerë. Kjo nuk është vetëm për AKS, është për të arritur të gjitha detyrimet që kanë marrë palët në marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit”- u shpreh Hovenier.

Hovenier thotë se mospublikimi i draftit në këtë pikë u jep hapësirë palëve të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Më 26 tetor, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar për të nënshkruar në një pako Marrëveshjen bazë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, aneksin e saj dhe draftin “modern e evropian” të statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Top Channel