Degradimi i mjedisit përbën një dukuri shumë shqetësuese në vendin tonë. Ai shfaqet në forma të ndryshme si shtrirja kaotike e qendrave urbane, prerja masive e pyjeve, dëmtimi i tokave bujqësore, ndotja e baseneve hidrike dhe grryerja e lumenjve.
Gjithashtu Shqipëria është e prekur edhe nga erozioni. Zonat më problematike janë Ultësira Perëndimore, luginat e lumenjve të mëdhenj dhe bregdeti i Adriatikut.
“Ultësira Perëndimore e Shqipërisë ka qenë toka kënetore dhe para viteve ’90 shumica e tyre rreth 600 km katrorë janë bonifikuara dhe në ditët e sotme ato drenazhohen me anë të stacionit të pompave apo hidrovoreve. Ndryshimet klimatike që kanë të bëjnë me rritjen e nivelit të detit apo edhe shtimin e intensitetit të reshjeve pritet që të shkaktojnë dëme më të mëdha se sa kanë shkaktuar. Edhe pse këto hirdovore janë ndërtuar, duhet patur një vëmendje e veçantë që pse jo të përmirësohen kapacitet e tyre”, u shpreh Alban Doko nga Departamenti i Hidrologjisë.
“Vija bregdetare ka ndryshuar shumë nuk është ajo e njëjta që ka qenë vite më parë. Ka zona ku prurjet e ngurta janë kaq shumë dhe duket sikur e shtyjnë detin dhe ka zona të tjera ku deti avancon drejt tokës sikurse është Patoku që dikur ka qenë një plazh fantastik ndërsa tani nuk ekziston më”, u shpreh inxhinierja e ndërtimit Luljeta Bozo.
“Ne kemi bërë një dëm të madh sistemit tonë natyror gjithë brezin mbrojtës bregdetar të investuar në të kaluarën para 50-60 vitesh ne po e shkatërrojmë me ndërtime”, u shpreh eksperti i mjedisit, Avdulla Diku.
Top Channel