Vodhi një karburant në Lushnjë nën kërcënimin e armës, arrestohet pas disa orësh 31-vjeçari

07/11/2023 18:55

Një 31-vjeçar është vënë në pranga pasi vodhi një karburant në Lushnjë nën kërcënimin e armës, mëngjesin e sotëm. 

Me iniciale F. B., ai hyri i maskuar në karburant dhe ka kërcënuar me armë gjahu duke marrë një shumë parash, që ishin pjesë e xhiros ditore.

Pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Elbasanit, u bë e mundur kapja në Elbasan e 31-vjeçarit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e gjahut që ka përdorur autori për të kryer vjedhjen, automjeti që kishte marrë me qira, veshjet që ka mbajtur gjatë vjedhjes, një sasi lënde e dyshuar narkotike heroinë dhe një peshore elektronike.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në një karburant, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Hoë it ends”, me qëllim zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.

31-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA