Rreth 220 forca speciale, jo vetëm nga Shqipëria por edhe 7 vendet e rajonit, janë mbledhur në Bizë për javën e dytë të stërvitjes në nivel të Forcave Speciale.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat raporton se gjatë stërvitjes “Strong Balkan-23” janë testuar aftësitë personale, por edhe në grup, të forcave të Armatosura si në tokë edhe në ajër.
Ka pasur hedhje me parashutë, mes të cilëve edhe operator nga forcat speciale shqiptare, që janë hedhur nga një lartësi e konsiderueshme nga helikopteri prej 1524 metër. Ndërkohë ka pasur shpërthim me eksploziv dhe qitje me snajper nga një distancë prej 1000 metrash.
Për Top Channel, komandanti i regjimentit të operacioneve speciale, nënkolonel Ajet Jata ka deklaruar se stërvitja e forcave speciale të vendeve të Ballkanit ka për bazë shkëmbimin e eksperiencave të ndryshme ndërmjet forcave speciale, rritjen e aftësive operacionale të këtyre njësive, si dhe ndërtimin e urave të komunikimit dhe miqësisë ndërmjet tyre.
“Kjo stërvitje,“Strong Balkan-23”, është një stërvitje e forcave speciale të vendeve të Ballkanit. Ajo zhvillohet në kuadër të iniciativës së shefave të Shtabit të Përgjithshëm të këtyre vendeve dhe ka për qëllim promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Gjatë zhvillimit të kësaj stërvitje, objektiv kryesor është rritja e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet këtyre vendeve, shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme ndërmjet forcave speciale, rritja e aftësive operacionale të këtyre njësive, si dhe ndërtimi i urave të komunikimit dhe miqësisë ndërmjet operatorëve të forcave speciale të vendeve të ndryshme”- u shpreh Nënkolonel Jata.
I pyetur për skenarët që do të zbatohen gjatë trajnimit të sotëm, Jata tha se: “Sot është në program që në të zhvillojmë veprime speciale me helikopter nga ajëri. Në të përfshihet edhe hedhja me parashutë, ku për herë të parë ne kemi operatorët tanë të forcave speciale të cilat hidhen në distancën mbi 1524 metër. Njëkohësisht do të shikojmë edhe veprime të tjera me helikopter si zbritja me litar, veprime të tjera taktike qofshin ato individuale dhe kolektive, si goditje objekti, goditje me snajper, shpërthime, ndërhyrje ndaj një grupi armiqsor dhe veprime si komunikim xhenjosh dhe nga ana shëndetësore.”
Top Channel