Takimi i mesit të gushtit mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni prodhoi marrëveshjen e emigrantëve, mes dy vendeve.
Sipas saj Italia do të ndërtojë qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët që synojnë të mbërrijnë në Itali. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet në pranverë të 2024-tës. Kujtojmë se gjatë këtij viti që nuk është mbyllur ende, më shumë se 145 mijë persona mbërritën në brigjet italiane.
“Duke qenë se është boshatisur vendi, këta që do të vijnë do të zëvendësojnë shqiptarët e larguar”, thotë qytetari,
“Pse të mos vijnë, edhe fëmijët tanë krejt refugjatë kanë ikur dhe po ikin. Ne kemi fitime se do të shesim prodhimet tona, pasi refugjatët duan të hanë”, shton ai.
“Do dalim piramidë me këto kampet, se ne nuk po mbajmë dot shqiptarët. Ata thonë se do të përgjigjen italianët për ta, por Italia në fakt po i përze”, thotë një qytetar.
Një shtetas Italian kur e pyesim përgjigjet: “Unë mendoj se kjo është një mundësi për ju. Mbi të gjitha do vijnë para (lekë) nga Italia. Emigrantët që do të vijnë këtu, duke qenë se ju po hapeni me botën, po ndërtoni, do t’ju nevojiten.”
“Neve kemi shumë emigrant në vendin tonë që punojnë gjithandej, ndaj nuk i mbajmë. Nuk është se nuk i duam. Do të vijë një ditë që ju do të thoni, se na duhen”, shton ai.
“Unë Melonin nuk e kam votuar, por këtë marrëveshje e mbështes”, thotë italiani.
Ndërsa zonja shqiptare që ka krushqi me çiftin Italian thotë se në “Itali këta njerëz krijojnë probleme dhe destabilizojnë rendin e kështu do të bëjnë edhe në Shqipëri”.
“Këta refugjatë duan të shkojnë në Itali dhe jo të mbahen në Shqipëri”, thotë një zotëri. “Nuk besoj se do të marrim gjë në këmbim, po flas këtu për anëtarësimin, pasi kemi 30 vjet që Europa veçse na jep detyra. Kur t’i bëhet qejfi agait, i ka dalë shpirti fukarait.”
Top Channel