Mirditë/ Po gërryente shtratin e lumit Fan, nën hetim pronari i mjeteve të rënda

07/11/2023 16:05

Një rast tjetër i gërryerjes me mjete të rënda, të shtratit të lumit Fan është goditur nga policia.

Për këtë rast, u procedua në gjendje të lirë D. M., banues në Tiranë, pasi ishte pronar i një ekskavatori dhe një kamioni, të mbushur me inerte.

Shërbimet e Policisë i sekuestruan këto mjete të rënda.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, kanë konstatuar dhe goditur një rast të gërryerjes së kundërligjshme të shtratit të lumit Fan”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjitha subjektet, që veprimtarinë e marrjes së inerteve, në shtretërit e lumenjve, ta kryejnë sipas kushteve dhe kufijve të përcaktuar në dispozitat ligjore dhe në lejet përkatëse. Në çdo rast të konstatimit të shkeljes së këtyre akteve, do t’iu sekuestrohen mjetet dhe do t’iu ndalohet vijimi i kësaj veprimtarie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA