Qeveria ka publikuar protokollin e plotë të marrëveshjes me Italinë për kampet e refugjatëve, që do të vendosen në Lezhë.
Në protokoll thuhet se pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, të cilat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli.
Pala shqiptare e dhe ajo italiane bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve, nuk mund të jetë më i lartë se 3.000.
Kampet menaxhohen nga pala italiane. Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian.
Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet italiane dhe shpenzimet do të mbulohen nga Italia, që do të krijojë edhe qendra shëndetësore për ta.
Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Në përfundim të afatit, pala italiane i kthen palës shqiptare zonat, pa detyrim kundërshpërblimi për përmirësimet e kryera.
Si paradhënie, pala italiane krediton 16.5 milionë euro për vitin e parë të zbatimit të protokollit.
Protokolli i plotë:
Duke pasur parasysh Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit, ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë, nënshkruar në Romë, më 13 tetor 1995;
Duke pasur parasysh protokollin, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës Italiane dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër terrorizmit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, nënshkruar në Tiranë, më 3 nëntor 2017;
Duke marrë parasysh interesin e palëve për të nxitur një bashkëpunim në rritje dypalësh në të gjithë sektorët, edhe në atë të perspektivës për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
Duke e konsideruar të nevojshëm intensifikimin e bashkëpunimit në menaxhimin e flukseve migratore dhe duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe të përbashkëtat e interesave e të aspiratave ndërmjet palëve;
Të ndërgjegjshëm për problematikat që sjell migracioni i paligjshëm;
Duke pohuar respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, në veçanti, ato në fushën e migracionit;
Të bindur për aktet që duhen marrë për të parandaluar lëvizjet e parregullta migratore dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe, në të njëjtën kohë, sigurimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë rënë dakord, si më poshtë:
Neni 1
Në kuptim të këtij protokolli, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Pala shqiptare”, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë;
b) “Pala italiane”, Qeveria e Republikës Italiane;
c) “Zona”, pronat e paluajtshme në pronësi të shtetit, të përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur kësaj marrëveshjeje;
ç) “Migrantë”, shtetasit e vendeve të treta dhe ata pa shtetësi për të cilët duhet vërtetuar apo është vërtetuar ekzistenca e kushteve për hyrje, qëndrim ose banim në territorin e Republikës Italiane;
d) “Personel italian”, personeli, edhe ai që nuk zotëron shtetësinë italiane, i dërguar nga pala italiane në Shqipëri për të garantuar realizimin e veprimtarive të parashikuara nga ky protokoll.
Neni 2
Ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Neni 3
1. Pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, sipas kushteve të përcaktuara në këtë protokoll.
2. Zonat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli, në përputhje me sa është parashikuar në nenin 13.
Neni 4
1. Pala italiane mund të krijojë në zonat e përcaktuara strukturat e përmendura aneksin
1. Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë) veta.
2. Strukturat e përmendura në pikën 1 menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve, që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian.
3. Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve të strehuar në strukturat e përmendura në pikën 1, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian dhe për kohën rreptësisht të nevojshme për të.
Në rast se, për çdo arsye, e drejta e qëndrimit në struktura nuk gjen zbatim, pala italiane i transferon menjëherë migrantët nga territori shqiptar. Transferimet për dhe nga këto struktura janë përgjegjësi e autoriteteve kompetente italiane.
4. Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet e autoriteteve kompetente italiane. Në momentin e mbërritjes në territorin shqiptar, autoritetet kompetente të secilës prej palëve do të vijojnë veçmas me përmbushjen e kritereve të parashikuara nga dispozitat ligjore kombëtare përkatëse, si edhe duke iu përmbajtur kushteve të këtij protokolli.
5. Shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane.
6. Lidhur me strukturat e parashikuara nga pika 1, pala italiane angazhohet të krijojë strukturat shëndetësore, me qëllim që të garantojë shërbimet shëndetësore të nevojshme.
7. Në rast konstatimi të migrantëve që janë mbartës të sëmundjeve infektive, autoritetet kompetente të palës italiane do t’u përmbahen normave të karantinimit dhe trajtimit të tyre, sipas protokolleve shëndetësore përkatëse.
8. Në rast nevojash shëndetësore, të cilat autoritetet italiane nuk mund t’i plotësojnë brenda kuadrit të strukturave të përmendura në pikën 1, autoritetet shqiptare do të bashkëpunojnë me autoritetet italiane përgjegjëse të këtyre strukturave për të siguruar kujdesin mjekësor thelbësor dhe të domosdoshëm ndaj personave të strehuar në këto struktura.
9. Kostot për shërbimet shëndetësore, që do të ofrohen nga pala shqiptare, do të paguhen nga pala italiane, në përputhje me pikën 1, të nenit 10, të këtij protokolli.
Neni 5
1. Strukturat e përmendura në aneksin 1 do të ndërtohen dhe do të menaxhohen, në përputhje me legjislacionin përkatës italian, pa pasur nevojë për leje ndërtimi apo formalitete të tjera të ngjashme, të kërkuara nga legjislacioni shqiptar. Pala italiane ka vetëm detyrimin për t’u njoftuar paraprakisht autoriteteve shqiptare projektin dhe dokumentacionin lidhur me qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e strukturave.
2. Pala italiane angazhohet të ndërtojë, gjithashtu, strukturat e dedikuara për personelin shqiptar, që do të ruajë perimetrin e jashtëm të zonave, në funksion të zbatimit të detyrimeve sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij protokolli.
3. Pala shqiptare lehtëson ofrimin e shërbimeve të nevojshme për funksionimin e strukturave të përmendura në aneksin 1, për të cilat do të zbatohen kushte jo më pak të favorshme se ato që zbatohen për struktura të ngjashme. Kostot e nevojshme për sigurimin e këtyre shërbimeve mbulohen tërësisht nga pala italiane.
4. Shpenzimet e bëra nga pala italiane për ndërtimin e strukturave të përmendura në aneksin 1 përjashtohen nga taksat dhe detyrimet doganore indirekte. Pala italiane nuk kërkon përjashtime nga taksat ose pagesat e tjera, pavarësisht se si janë të emërtuara, të cilat përfaqësojnë tarifa për përdorimin e shërbimeve publike.
5. Për nevojat e ndërtimit e të menaxhimit të strukturave të përmendura në nenin 4, autoritetet kompetente të palës italiane përjashtohen nga kufizimet ose kontrollet e monedhës dhe mund të transferojnë lirisht monedha, pavarësisht parashikimeve të dispozitave në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
6. Pala shqiptare angazhohet të lehtësojë kryerjen e praktikave doganore për materialet dhe pajisjet e kërkuara nga pala italiane, me qëllim realizimin e veprimtarive, sipas këtij protokolli.
Neni 6
1. Autoritetet kompetente të palëve do të bashkëpunojnë për ruajtjen e sigurisë së zonave.
2. Autoritetet kompetente të palës shqiptare sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike në perimetrin e jashtëm të zonave dhe gjatë transportit tokësor drejt dhe nga të njëjtat zona, që kryhet në territorin shqiptar.
3. Autoritetet kompetente të palës italiane sigurojnë ruajtjen e rendit dhe të sigurisë brenda zonave. Autoritetet kompetente të palës shqiptare mund të hyjnë në zonë, me pëlqimin e shprehur të drejtuesit të strukturës. Përjashtimisht, autoritetet e palës shqiptare mund të hyjnë, duke njoftuar drejtuesin e strukturës së palës italiane, në rast zjarri, rreziku tjetër serioz dhe të afërt që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
4. Për zbatimin e detyrave të ndërsjella që lidhen me sigurinë, secila palë ngre një njësi përgjegjëse për mbarëvajtjen, koordinimin dhe mbikëqyrjen e çështjeve të sigurisë.
5. Autoritetet kompetente italiane do të marrin masat e nevojshme për të siguruar qëndrimin e migrantëve brenda zonave, duke mos lejuar daljen e paautorizuar të tyre në pjesën tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë, si gjatë kohëzgjatjes së procedurave administrative ashtu edhe në përfundim të tyre, cilido qoftë rezultati përfundimtar.
6. Në rast daljeje të paautorizuar të migrantëve nga zonat, autoritetet shqiptare do t’i shoqërojnë ata po pranë këtyre strukturave. Kostot që burojnë nga zbatimi i kësaj pike do të mbulohen nga pala italiane, në përputhje me sa është parashikuar nga pika 1, e nenit 10, të këtij protokolli.
7. Autoritetet kompetente të palës italiane do të përballojnë çdo shpenzim të nevojshëm për akomodimin dhe trajtimin e subjekteve që do të strehohen në strukturat e përmendura në aneksin 1, duke përfshirë ushqimin, kujdesin shëndetësor (përfshirë rastet kur për këtë kërkohet asistenca e autoriteteve shqiptare) dhe çdo shërbim tjetër që do të vlerësohet i nevojshëm prej palës italiane, duke u kujdesur që ky trajtim të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas së drejtës ndërkombëtare.
8. Dokumentet zyrtare të mbajtura në çfarëdolloj cilësie nga autoritetet italiane dhe nga personeli italian përjashtohen nga sekuestrimi ose masa të tjera të ngjashme nga autoritetet shqiptare.
Neni 7
1. Pala italiane njofton, paraprakisht, nëpërmjet kanaleve diplomatike, emrat e personelit italian.
2. Personeli italian, i cili hyn dhe qëndron në Shqipëri për qëllimet e përcaktuara në këtë protokoll, përjashtohet nga pajisja me viza, leja e qëndrimit dhe formalitetet e tjera të kërkuara nga legjislacioni shqiptar për migracionin. Personelit italian, i cili qëndron në territorin shqiptar për më shumë se 90 ditë, i lëshohet, pa pagesë dhe me një kërkesë të thjeshtë, një dokument identifikimi (“leje unike”).
3. Kushtet e punës së stafit italian rregullohen ekskluzivisht nga legjislacioni italian. Pagat e marra nga personeli italian përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet për dhënien e asistencës sociale të parashikuar nga legjislacioni përkatës shqiptar, me përjashtim të rasteve kur personeli është shtetas shqiptar rezident në Republikën e Shqipërisë.
4. Për fjalët e thëna ose të shkruara dhe për veprimet e kryera në ushtrimin e funksioneve të tyre, personeli italian nuk i nënshtrohet juridiksionit shqiptar edhe pas përfundimit të ushtrimit të funksioneve të lartpërmendura në territorin shqiptar. Komunikimet e personelit në fjalë me autoritetet kompetente italiane nuk i nënshtrohen kufizimeve nga autoritetet shqiptare.
5. Përjashtimisht nga sa është përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, personeli italian është përgjegjës, sipas legjislacionit shqiptar, nëse gjatë qëndrimit sipas këtij protokolli kryen jashtë shërbimit vepra penale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar, që cenojnë të drejtat e shtetasve shqiptarë apo të shtetit shqiptar.
6. Pa cenuar pikën 4, personeli italian gëzon imunitet nga çdo formë ndalimi në Shqipëri, me përjashtim të rastit të parashikuar në pikën 5, në të cilin çështja do të trajtohet sipas legjislacionit procedural penal shqiptar dhe marrëveshjeve dypalëshe në fuqi. Në rastet e parashikuara në pikën 5, për zbatimin e masave të sigurimit personal ndaj personelit italian, autoritetet shqiptare duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet italiane.
7. Për trajtimet mjekësore urgjente, personeli italian mund të trajtohet në institucionet e kujdesit shëndetësor shqiptar. Shpezimet e nevojshme për këtë trajtim do të përballohen nga vetë personi ose nga pala italiane, në përputhje me parashikimet e këtij protokolli.
8. Pa cenuar dispozitat e këtij neni, personeli italian ka detyrimin të respektojë ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe të mos ndërhyjë në punët e saj të brendshme.
9. Pala italiane do t’i vendosë në dispozicion autoriteteve shqiptare listën emërore të personave të autorizuar për të mbajtur armë gjatë ushtrimit të detyrës së bashku me dispozitat përkatëse të marrjes e të dorëzimit të armës nga këta persona.
10. Personeli i përmendur në pikën 9 nuk ka të drejtë të mbajë armë në territorin shqiptar jashtë shërbimit. Në kuptim të kësaj pike, shërbimi përfshin edhe shoqërimin e migrantëve nga dhe për në zona. Pala italiane angazhohet të marrë masa për garantimin e sigurisë për ruajtjen e armatimeve e të municioneve, të përdorura sipas këtij protokolli.
Neni 8
1. Hyrja në territorin shqiptar të mjeteve të palës italiane do të rregullohet me marrëveshje të tjera që do të lidhen ndërmjet autoriteteve kompetente italiane dhe shqiptare, të cilat do të hyjnë në fuqi në datën e nënshkrimit të tyre.
2. Procedura e transferimit të migrantëve për në territorin shqiptar, drejt dhe nga zonat do të kryhet në përputhje me sa është parashikuar në pikën 1, të këtij neni.
3. Kostot e angazhimit të mjeteve dhe forcave pjesëmarrëse të palës shqiptare, që burojnë nga parashikimet e këtij ptotokolli, do të mbulohen nga pala italiane, në përputhje me sa është parashikuar në pikën 1, të nenit 10, të këtij protokolli.
Neni 9
1. Afati i qëndrimit të migrantëve në territorin e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të këtij protokolli, nuk mund të jetë më i gjatë sesa periudha maksimale e lejuar nga legjislacioni përkatës italian. Autoritetet italiane, në përfundim të procedurave të kryera në përputhje me legjislacionin italian, do të kryejnë largimin e migrantëve nga territori shqiptar. Shpenzimet për këto procedura do të mbulohen tërësisht nga pala italiane, në përputhje me sa është parashikuar nga dispozitat e këtij protokolli.
2. Për të garantuar të drejtën për t’u mbrojtur, palët do të lejojnë hyrjen në strukturat e parashikuara nga ky protokoll të avokatëve, ndihmësve të tyre si edhe të organizmave ndërkombëtarë dhe agjencive të Bashkimit Evropian që ofrojnë këshilla dhe asistencë për azilkërkuesit, në kufijtë e legjislacionit italian, evropian dhe shqiptar të zbatueshëm.
3. Në rast lindjeje dhe vdekjeje, migrantët do t’i nënshtrohen dispozitave të legjislacionit italian. Për rastet e vdekjeve, pala shqiptare do të vërë në dispozicion të palës italiane strukturat e morgut dhe pala italiane do të transferojë trupin nga territori shqiptar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga fakti i vdekjes.
Neni 10
1. Shpenzimet, sipas nenit 4, pika 9, nenit 6, pika 6, nenit 8, pika 3, dhe nenit 12, pika 2, si dhe shpenzimet e detyrimet e paparashikuara, që rrjedhin nga ky protokoll, do t’i rimbursohen palës shqiptare nga pala italiane a forfait në masën dhe mënyrat që do të përcaktohen nga aneksi 2.
2. Aneksi 2 rregullon, gjithashtu, kushtet dhe mënyrat sipas së cilave pala italiane do të marrë përsipër shpenzimet e kryera nga pala shqiptare, në rast të nisjes nga ana e migrantëve të procedurave administrative pranë autoriteteve kompetente shqiptare.
Neni 11
1. Në përfundim të afatit të këtij protokolli, pala italiane i kthen palës shqiptare zonat, pa detyrim kundërshpërblimi për përmirësimet e kryera.
2. Pala italiane merr përsipër largimin nga territori shqiptar të të gjithë migrantëve, deri në përfundimin e afatit të këtij protokolli.
Neni 12
1 Secila palë do të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara palës tjetër në mënyrë të qëllimshme ose për faj të rëndë të personelit të saj dhe humbjet që rrjedhin nga çdo detyrim për të kompensuar palët e treta për dëmet e shkaktuara atyre nga sjellja e qëllimshme ose faji i rëndë i personelit të palës tjetër. Nuk do të konsiderohen të qëllimshme apo faj i rëndë mungesat në shërbim, që vijnë si pasojë e kapaciteteve objektive të kufizuara të palëve.
2. Në përputhje me sa është parashikuar nga neni 10, pala italiane angazhohet se do të mbulojë kostot për përfaqësimin ligjor si dhe kostot procedurale dhe të dëmshpërblimit të dëmeve në rast padie që mund të ngrihet ndaj Republikës së Shqipërisë nga palë të treta, të cilat burojnë nga lidhja e këtij protokolli, përfshirë veprimet apo mosveprimet e palës italiane ndaj migrantëve apo për shkak të veprimtarisë së autoriteteve italiane.
3. Në rastet e përmendura në këtë nen, palët do të nxisin diskutime në mirëbesim që synojnë arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme në mënyrë të ndërsjellë.
Neni 13
1. Ky protokoll do të hyjë në fuqi në datën e bashkërenduar nga palët me anë të shkëmbimit të notave verbale.
2. Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Me përjashtim të rasteve kur njëra nga palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër 5-vjeçare.
3. Çdo njëra nga palët, në çdo moment mund të denoncojë këtë protokoll me njoftim paraprak me shkrim prej 6 (gjashtë) muajsh. Denoncimi përmban edhe shkaqet për të cilat duhet të informohet pala tjetër. Protokolli mund të denoncohet jo më parë se të ketë kaluar 1 vit nga hyrja e tij në fuqi.
Top Channel