Mëngjesin e së martës, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka vazhduar me takimet në Prishtinë.
Në zyrën e BE-së ai takoi komandantin e KFOR-it në Kosovë, ambasadorët e akredituar në vend dhe përfaqësuesit e partive opozitare.
“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, tha Lajçak pas takimeve.
Ndërkohë, liderët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit thanë se Lajçak i siguroi ata drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që nuk e kanë parë e duke kritikuar qeverinë për mostransparencë.
“Drafti i Asociacionit që është i propozuar është draft në përputhje me Kushtetutën dhe vijat e kuqe të Kosovës, por fatkeqësisht nuk patëm mundësi ta konsultojmë”, tha kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.
“Angazhimi i tij dhe ndarja e kohës për partitë opozitare është për tu vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit”- u shpreh nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.
Megjithatë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ka parë draftin se në gjykimin e tij është në përputhje me kushtetutën.
“E kemi lexuar draftin në tërësi pra, drafti shpjegon të gjitha mundësitë që asociacioni iu jep komunave me shumicë serbe kuptohet çdo herë i referohet kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërmjetësi i dialogut gjatë takimit të së hënës ka ftuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin për takim në Bruksel për të vazhduar diskutimet për draftin e Asociacionit.
Të martën ai takoi edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Top Channel