Fenomeni i përdorimit të hashashit nga të rinjtë por edhe nga moshat 10-12 vjeç është kthyer në shqetësues.
Kjo për faktin se jo vetëm hashashi, por edhe drogat më të forta gjenden ‘sheshit’. Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës se sa thjesht e lehtë mund të blihet hashashi dhe këtë informacion e kanë edhe fëmijë të moshës nga 8 deri në 12 vjeç. Fiksi e gjeti këtë informacion në vendin më të çuditshëm, në varrezat e Tufinës. Fëmijët e mitur të komunitetit rom që lypin në varreza fare mirë e dinë se ku shitet, kush e shet, sa shitet dhe sa sasi ka brenda qesja e hashashit.
Gazetarët e Fiksit hasën në një grup fëmijët të moshës nga 8 deri në 12 vjeç në varrezat e Tufinës , që njihnin të gjithë shpërndarësit e hashashit në zonë. Ata iu tregojnë gazetarëve të Fiksit pikat ku qëndrojnë këta shpërndarës dhe çmimin e qeses, që kushton 5 mijë lekë. Madje ajo që të bie në sy është edhe informacioni që ata japin që qesja brenda ka 2 deri në 3 boçe hashashi.
Fiksi u kërkon që t’u tregojë këto vende, por fëmijët kanë edhe frikë. Kjo pasi njëri prej tyre është dhunuar nga një shpërndarës i cili ka dashur të testojë hashashin tek një 10 vjeçar. Por në zonë njihen dy vende që shitet hashashi rregullisht një në një lokal dhe një në një market. Fiksi iu drejtua lokalit për të parë nëse do të mund të blinin apo jo hashash. Ashtu siç fëmijët e orientuan gazetarja iu drejtua kamerierit që në këtë rast luante rolin e ndërmjetëm midis blerësit dhe shitësit. Ai merr lekët për të sjellë hashashin , por që shitësi dyshoi dhe më kërkesë të tij kamerieri i sjell gazetares lekët mbrapsht. Por në asnjë moment nuk u habit apo mohojë që nuk shitej hashash aty.
Fiksi i drejtohet edhe marketi që fëmijët i treguan si një tjetër bazë shitjeje hashashi. Fiksi sapo interesohet në emrin që fëmijët i thanë në market i thonë që prej një muaji nuk ndodhet më aty, por është larguar jashtë vendit.
Pra në të dyja rastet fëmijët e mitur kishin informacion të detajuar mbi pikat dhe personat që shesin hashash në zonën e Tufinës.
Biseda e Fiksit me të miturit të moshës nga 8 deri në 12 vjeç
Fiksi – Ku mund të blej unë pak hashash? E di vendin se ku shitet?
Fëmija 1- Te posta.
Fiksi – Te kush postë pra se unë nuk e di ku është posta.
Fëmija 1– Zbret këtu poshtë, kështu te kthesa. Zbret drejtë kështu poshtë, drejt fare kështu. Shkon te ai që shet se vjen era Kallo ( hashash)
Fiksi – Po unë nuk e di vendin, sa e shet qesen ai?
Fëmija 1 – 5 mijë lekë ( të vjetra)
Fiksi – A është me boçe apo me kështu?
Fëmija 1 – Me boçe.
Fiksi – A ma blen ti?
Fëmija 1 – Jo, unë kam frikë. Një ditë më rrahu ai mua.Unë shkova një ditë aty, që të lypja lekë. Ai më tha hajde këtu hajde se do të jap hashash me zor.
Fiksi – Sa vjeç ishe ti që më the?
Fëmija 1 – 10 vjeç
Fiksi – Po vëllai jot sa vjeç është?
Fëmija 1 –8 vjeç
Fiksi –Kush do ma tregoj vendin?
Fëmija 4 – A do ta çojmë te posta?
Fëmija 3 –Hajde
Fiksi – Kush e di vendin?
Fëmija 4 – Te posta mër burrë te posta në katin e dytë.Te ai që shpërndan pakot. Ai që shet hashash, ëëëëë. Po nuk duhet t’i hysh në shtëpi atij se është spiun me letra.
Fiksi – Kush e ruan atë?
Fëmija 4 – E ruajnë atë.
Fiksi – Po si mund të hyj unë ta marrë aty?
Fëmija 1 – Hajde shkojmë 3 veta.
Fëmija 4 – Vetëm po të çojmë këtu te lagja jonë, që të shesi ai Xhevi.
Fiksi- Pse ka edhe këtu afër që shesin?
Fëmija 4 – Xhevi? Vjen direkt ai shoku i vet ja sjell me pako dhe me kavanoz sidomos.
Fiksi – Sa lekë e ka ky qesen?
Fëmija 4 – 5 mijë lekë.
Fiksi – E sa boçe ka brenda?
Fëmija 4 – 2
Fiksi – Kaq pak?
Fëmija 5 – Ke dhe atje te fresku.
Fiksi – Ku?
Fëmija 5- Atje ku janë Smartet ( makinat) e parkuara, që shiten. Kur hyn për këtej te varrezat a pe një dyqan si punë supermarketi?
Fiksi – Hë
Fëmija 3 – Është te dykatëshi te Mandi atje shkonin çunat.Është dyqani i Mandit supermarketi. Thuaj ti punëtorëve dua çikë Mandin, do të thonë ato për ça e do. Thuaj ti dua nja dy qese edhe t’i sjellin ato qeset, i jep lekët edhe kaq.
Fiksi – Sa i kanë ato qeset? Dhjetëshe i kanë apo pesëçe?
Fëmija 3 – Pesëçe ka qenë qesja, se dhjetëshe është e madhe.
Fiksi – Po ju a keni blerë ndonjë herë? Mos më gënjeni.
Fëmija 4 – Jo jo po ca çuna të lagjes tonë shkojnë dhe blejnë atje.
Fiksi i drejtohet marketit
Fiksi – Desha içik Mandin
Shitësja –Mandi s’është këtu.
Fiksi – Si t’ja bëj, ku ta gjej se më duhen nja dy qese.
Shitësja – Mandi nuk është këtu.
Fiksi – Po ku mund ti gjej nja dy?
Shitësja – Nuk e di .
Fiksi – Më thanë ata kalamajtë atje te varrezat shko kërkoi te Mandi.
Shitësja – Nuk është Mandi, ka ikur jashtë. Mandi ka një muaj që nuk është këtu.
Fiksi i drejtohet bar picerisë për të blerë hashash
Fiksi – Më çuan këta kalamajtë lart te varrezat. Më duhen nja dy qese ( hashash) .
Kamarieri – Ja ta marrë këtë çunin në telefon.
Fiksi – Shkova dhe aty te Mandi, po nuk ishte aty.
Kamerieri – Jo jo ka kohë ai, që s’ka. Flet në telefon ( Ku je? A vjen 2 minuta këtu te piceria?) Sa të vij se këtu e ka shtëpinë. Se i thashë unë.
Fiksi – Ta pres këtu?
Kamerieri – Po prite.
Fiksi – E mirë. A është i mirë ( hashashi ) se mos është llosh?
Kamerieri –Jo jo jo se dje e ka marrë ai, dje e ka marrë.
Fiksi – Se mos është llosh ore?
Kamerieri – Jo jo e pati marrë te një vend tjetër, në fillim ja pati dhënë të mirë. Mori një tjetër dhe ja dha të keq. Tani ka gjetur një çun tjetër, ça do bënte më ai, e kishte kshu shok mbas shoku edhe nuk ja ktheu më. Kurse këtë tani që e ka marrë e ka gjetur në vend tjetër. Të gjitha ja kanë pëlqyer. Unë nuk është se marrë vesh se unë nuk e pij fare, por këta çunat që e marrin vesh që e pijnë e kanë pëlqyer të gjithë.
Fiksi – Ta dimë të paktën ku të marrim. Pyete çikë sa ka qesja, kështu boçe. A e ka me boçe?
Kamerieri – Vallahi me të rrejt kot. Ja se erdhi.
Kamarieri takon shitësin
Fiksi – Ça të tha?
Kamerieri – Ai thotë s’kam. Ku di gjë unë. Merri këto lekët.
Fiksi – Ej, çne ky që thotë s’kam?
Kamarieri – Ku di gjë unë?
Fiksi – Ça ka frikë ky?
Kamerieri – Po me të rrejt s’e di, unë nuk merrem me atë punë.
Fiksi – Thashë se e gjeta. Rrofsh.
Top Channel