Me një ligj të ri të imigrimit, Franca do të ashpërsojë trajtimin e azilkërkuesve. Në të njëjtën kohë, projektligji parashikon që punëtorët e paligjshëm në profesionet deficitare të kenë mundësinë e qëndrimit.
Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin paraqiti projektligjin në Senat në Paris. Senati i së djathtës konservatore, dhoma e dytë e Parlamentit, filloi menjëherë debatin mbi projektin. Qeveria e kishte paraqitur projektligjin në shkurt dhe më pas e kishte ngrirë sërish, sepse reforma e pensioneve dominoi debatin dhe gjithsesi nuk dukej shumicë mbështetëse në horizont. “Ka të bëjë me dhënien e një statusi ligjor njerëzve që kanë jetuar dhe punuar këtu prej vitesh (…)”, tha kryeministrja Elisabeth Borne për France Inter. Kjo është një “masë e arsyeshme”, shtoi ajo.
Projektligji premton të jetë një provë sfilitëse, pasi kampi politik i Presidentit Emmanuel Macron nuk ka më një shumicë absolute në Parlament për të miratuar projektin shumë të diskutueshëm pa mbështetjen e forcave të tjera politike. “Do të kërkojmë shumica”, theksoi Borne, e cila kritikohet kritikuar për kthimin në përdorimin e nenit 49.3 të Kushtetutës. Ky nen lejon që një ligj të miratohet pa votim përfundimtar nga Parlamenti francez. Projektligji i imigracionit është projekti i dytë i madh reformuesi mandatit të fundit të presidentit Emmanuel Macron, pas reformës së pensioneve, e cila u realizua mes protestave të forta.
Çfarë bëjnë republikanët?
Mbështetja e pritur e konservatorëve Républicains për nismën legjislative është ende e paqartë. Marrja e një qëndrimi të qartë ndaj emigrantëve është vërtet në përputhje me linjën e republikanëve, të cilët e kanë prej kohësh këtë çështje ndër prioritetet e tyre. Megjithatë, halë në sy për ta është është garantimi i dokumenteve të qëndrimit për emigrantët e paligjshëm që punojnë në profesione në të cilat kërkohen punonjës. Ata besojnë se kjo hap një derë tjetër për emigracionin e paligjshëm.
Megjithatë, gjatë prezantimit të projektligjit, ministri argumentoi se emigrantët tashmë në vend duhet të kenë kushte të sigurta dhe të mira pune. Firmat që bëjnë biznes në kurriz të emigrantëve të paligjshëm duhet të ndalohen. Ekonomia që po rimëkëmbet dhe rënia e papunësisë do të thotë se shumë sektorë në Francë po kërkojnë me këmbëngulje punonjës. Emigracioni shihet si një zgjidhje, por industria dhe qeveria nuk i kanë përcaktuar përmasat e tij.
Kritika e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se ligji i planifikuar mund të kufizojë të drejtat e emigrantëve. Në të ardhmen, mund të deportohen edhe persona që kur kanë mbërritur në Francë kanë qenë të mitur nën 13 vjeç ose edhe prindërit e huaj, fëmijët e të cilëve kanë shtetësi franceze. Sipas organizatës së ndihmës për fëmijë UNICEF, ky rregull mund të bjerë ndesh me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. Reduktimi i planifikuar i kujdesit mjekësor është kritikuar gjithashtu. Në të ardhmen, emigrantëve do t’u garantohet vetëm ndihma mjekësore emergjente, theksoi ministri i Brendshëm Darmanin.
Disa organizata kanë kritikuar gjithashtu faktin që fëmijët e lindur në Francë nuk marrin më automatikisht shtetësinë franceze në moshën 18-vjeçare. Për më tepër, të rinjve të lindur në Francë, të cilët janë dënuar me një minimum prej gjashtë muajsh burg, nuk do t’u jepet shtetësia franceze. Nënshkruesit e një apeli drejtuar qeverisë theksojnë se këto masa e vështirësojnë integrimin dhe u bëjnë jehonë kërkesave të ekstremit të djathtë.
Vitin e kaluar, në Francë aplikuan për azil rreth 137.000 vetë, afërsisht i njëjti numër si para pandemisë së koronavirusit. Shumica erdhi nga Afganistani, e ndjekur nga Bangladeshi, Turqia dhe Gjeorgjia. Rreth 11.400 persona u dëbuan, duke përfshirë rreth 3.600 të huaj që kishin kryer vepra penale. Gati 4000 vetë u larguan nga vendi vullnetarisht ose si pjesë e një programi të subvencionuar të kthimit./ DW
Top Channel