Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar vijimin e protestës së tetë deputetëve të opozitës për përjashtimin e tyre nga seancat parlamentare.
Në një prononcim për shtyp, Berisha e konsideroi incidentin e djeshëm aktin më të turpshëm në historinë e një parlamenti, ku Edi Rama – sipas tij – urdhëroi “Lindën e parlamentit” të mbyllë me gardistë dhe dryn dyert e Kuvendit në kundërshtim flagrant me ligjin dhe Kushtetutën.
Sipas Berishës, Edi Rama është e keqja më e madhe në historinë tonë kombëtare pas Enver Hoxhës.
“Asgjë nuk do mund të ndalë protestën e deputetëve të opozitës në mbrojtje gjer në sakrificat më të mëdha në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë që i kanë votuar.
Akti më i turpshëm në historinë e një parlamenti, kur Edi Rama urdhëroi Lindën e parlamentit të mbyllë me gardistë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe Kushtetutën, të mbyllë me dryn, dyert e parlamentit në të cilin ata janë anëtarë dhe nga i cili ata kanë imunitetin e tyre. Këto akte tregojnë degradimin ekstrem të një regjimi, që ka për ligj, ligjet e drogës, kodet e drogës, krimit, vjedhjes dhe korrupsionit.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo betejë është betejë me të keqen më të madhe të historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës.
Edi Rama bllokon komisionet hetimore parlamentare, sepse e di se ata do nxjerrin para shqiptarëve të gjithë vjedhjet, të gjithë plaçkitjet, të gjithë përvetësimet që ai ka bërë me sojin e tij, pasurive publike, fondeve publike.
Do nxjerrin se si për interesat e tij dhe të klaneve të tij kriminale, porti mijëravjeçar i Durrësit poërfundon në hiç, vetëm që ky me klanet e tij në Dubai dhe kudo që i ka, të ndërtojë mbi 12 mijë apartamente, të përvetësojë 1.2 milionë metër katror truall publik.
Edi Rama nuk mund të përfundojë komision hetimor parlamentar sepse del firmëtar kryesor në aferën, vjedhjen e shekullit, qëjanë djegësat, dhe veçanërisht djegësi i Tiranës. Ai nuk mund të pranojë hetimin e tij sepse del i implikuar, aksioner me Pëllumb Gjokat, Gjergj Lucat dhe shumë të tjerë që janë prejardhje krimi dhe droge.
Nuk mund të pranojë komisionin hetimor parlamentar, sepse del se duke shkelur ligje, kushtetutë dhe konventë evropiane, kërkon të emërojë në Himarë, përfaqësuesin e mafies së rrezikshme të trojeve himarjote, dhe kjo vetëm për interesa të tij, të vëllait të tij, të ministrave të tij.
Unë pyes çdo qytetar, sa vlen hetimi i një bashkiaku diku, apo i një zyrtari tjetër, në krahasim me kryepeshkaqenin e krimit dhe vjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama.
Jo, nuk ka vlerë. Ndaj dhe ne me guxim të palëkundur, nuk lëshojmë gjersa Edi Rama t’i nënshtrohet hetimit parlamentar. Jo vetëm ai, por të gjithë ish-kryeministrat, të gjithë ish-zyrtarët e lartë dhe ata që janë sot. Por natyrisht, e keqja e të keqes është Edi Rama”- tha Berisha.
Ish-kryeministri deklaroi se incidenti i djeshëm do të shkruhet në muret e historisë me gërmat më të zeza, pasi nuk i mbyllet deputetit me mandat dera.
“Ata kan zyrat e tyre aty. Salla e grupit parlamentar është e tyre, nuk mundet Edi Rama me Lindën tij të përjashtojë deputetët.
Unë ua thash dje dhe po jua them edhe sot, nuk i mbyllet deputetit me mandat dera. Është një skenë që do të shkruhet në muret e historisë me gërmat më të zeza për Edi Ramën dhe Lindën e tij”- tha Berisha.
Top Channel