Projektligji për amnistinë/ Përfitojnë 570 të dënuar, përjashtohen vrasësit dhe subjektet e SPAK-ut

06/11/2023 18:07

Rreth 570 të dënuar pritet të përfitojnë nga amnistia, sipas projektligjit të propozuar nga qeveria.

Sipas projektligjit, pushohet ndjekja penale për pjesën më të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen me dy vite heqje lirie.

Sipas projektligjit, lënë qelinë meshkujt, të cilët janë dënuar deri në tre vite heqje lirie dhe femrat e dënuara deri në katër vite burg, për dënime që janë dhënë para datës 320 qershor të këtij viti.

Po ashtu rifitojnë lirinë burrat, të cilëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit u mbeten edhe 3 vite burg. Njësoj edhe për  gratë, të cilave u kanë mbetur katër vite burg.

Amnisti do të ketë për gratë mbi 50 vjeçe, burrat mbi 65 vjeç dhe të miturit.

Ndërkohë, një vit ulje dënimi përfitojnë meshkujt dhe një vit e gjysmë gratë dhe të miturit, të cilët nuk përfitojnë amnisti si të tjerët. Përjashtim bëjnë të dënuarit me burg përjetuar, të dënuarit për vrasje dhe ata që janë subjekte të SPAK-ut.

Përjashtohen nga ndjekja penale si dhe pushohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30.06.2023 për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë“, shkruhet në projektligj.

Top Channel