“Partizani”/ Berisha sot kishte detyrim paraqitje, ish-kryeministri nuk zbatoi vendimin e gjykatës! Skenari se ç’mund të ndodhë

06/11/2023 12:00

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron shkelje flagrante të Kushtetutës vendimin e GJKKO-së, ndërsa sot duhej të paraqitej në Gjykatën e Posaçme pas vendimit “detyrim paraqitje”.

Ndonëse ka një vendim gjyqësor që e urdhëron të paraqitet dy herë në muaj para një oficeri, ish-kryeministri iu bind vetëm verdiktit të tij, që ishte refuzimi.

I dyshuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin Jamarbër Malltezi, Sali Berisha për disa ditë vuri në provë pritjen e Gjykatës së Posaçme që gjeti si zgjidhje një avokat falas për ta mbrojtur. Në kushtet e ‘ jo-së” së parë edhe në SPAK, ish kryeministri duket se sapo ka nisur testin edhe me Prokurorinë Antikorrupsion.

Berisha: Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim! Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje. Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij. Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime. Nuk kam refuzuar kurrë. Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën.

Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës. Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë. Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal. Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën. Kushtetuta ka përcaktimet e veta. E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit. Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012. Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri as në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën.

Vendimmarrja nëse do ta ashpërsojë qëndrimin i takon vetëm dy prokurorëve të SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai që janë prokurorët e dosjes, të cilët do të duhet të kuptohet nëse do vendosin mbas ditës së sotme apo do shikojnë se çfarë qëndrimi do mbajë ish-kryeministri në datën 20 nëntor.

Por deri atëherë, pritet që Gjykata e Apelit të vendosë mbi kërkesën e avokatit Genc Gjokutaj, i cili jo vetëm kundërshton masën por ka kërkuar edhe CD audio të procesit që u mbajt në mungesë.

Sido që të ndodhë nëse SPAK ashpërson qëndrimin, pritet që gjykatën ta anashkalojë, dhe të shkojë në Këshill të Mandateve në rast se kërkon një masë më të ashpër.

Ndërsa Jamarbër Malltezi , dhëndri i ish kryeministrit mbahet në paraburgim për të njëjtën çështje, atë të privatizimit të klubit “Partizanit”.

I treti iu bind gjykatës. Fatmir Bektashi që dyshohet se pastroi para, u paraqit sipas kërkesës së gjykatës dhe veç bindjes, ai ka zgjedhur të heshtë.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme konfirmoi masën detyrim paraqitje dhe bllokim të përdorimit të pasaportës për ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA